Haradinaj premton ulje të çmimit të rrymës, Kurtin e quan “mashtrues”

Kandidati për kryeministër nga koalicioni për “Kosovën Fituese”, Ramush Haradinaj në tubimin elektoral në Istog e ka quajtur kryeministrin aktual, Albin Kurti “mashtrues”, Haradinaj u bëri thirrje që mos ta votojnë istogasit qeverinë aktuale, pasi siç tha ai “do të mbeten të izoluar së paku 30 vjet”.  Ai po ashtu theksoi se kur kishin folur si AAK për dyfishimin e pagave në fillim janë ‘trembur’ të gjithë.

Para shumë simpatizantëve, Haradinaj u zotua për rritje të pagave, anëtarësimin në NATO dhe sigurimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike.

Kryetari i AAK Haradinaj potencoi po ashtu se nëse ai do ta qeverisë vendin, në vitin e tretë të mandatit do ta ulë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq,kandidati për deputet dhe njëkohësisht kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pushtetin aktual e quajti “xheloz” që sipas tij po merren me mashtrime dhe shpifje.

Ai iu drejtua qytetarëve të Istogut duke u thënë se për katër vite qeveria e Kosovës sipas tij i ka ofenduar duke mos investuar asgjë në këtë vend.


Kandidati për deputet nga Istogu, Bekë Berisha ‘thumboi’ pozitën duke thënë se “nuk thërrasin për vota për të punuar kundër sistemit të drejtësisë”.

Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit ka nisur më 11 janar. Në zgjedhjet parlamentare, të cilat mbahen për herë të parë si të rregullta pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, konkurrojnë 28 subjekte politike.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 970 mijë e 944, ndërkaq numri i atyre të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës 104 mijë e 924.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt 2021.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video