Haradinaj në Prekaz: Ta ruajmë lirinë, por në koordinim me aleatët

Në kuadër të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në nderim të dëshmorëve të kombit në Prekaz.

Ish-kryeministri Haradinaj u shpreh se sakrifica e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe e gjithë familjes Jashari, është një kujtesë e përjetshme për lirinë dhe se liria e vërtetë meriton çdo sakrificë. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së lirisë, duke theksuar se kjo mund të arrihet vetëm në bashkëpunim me aleatët, veçanërisht me Amerikën.


“Në nderim të sakrificës për liri, të luftës së komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes Jashari, por edhe në nderim të gjithë të rënëve për liri nderojmë në Prekaz. Vërtetë historia jonë këtu është porosia e jonë e përjetshme për liri, dhe liria e vërtetë meriton çdo sakrificë. Do të kujdesimi që të ruajmë lirinë, por, gjithsesi duke qenë bashkë me aleatët tonë. Lazdrimet dhe largimi nga aleanca me Amerikën janë gabim, në dëm të lirisë. Do të ngrehim zërin çdoherë kundër tyre veprimeve që na largojnë nga Amerika, nga aleatët e sigurisë që janë në dëm të lirisë sonë”, tha Haradinaj.

I pyetur nga gazetarët nëse ka “krisje” të raporteve me bashkëpartiakët që ishin në koalicion me NISMA-n, pasi edhe nuk ishin bashkë në homazhe, Haradinaj tha se kjo nuk është dita për të diskutuar për këtë çështje.

Lexo edhe

Video