Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga “Koalicioni për Kosovën Fituese”, Ramush Haradinaj, u zotua se vendin do ta anëtarësojë në NATO më shpejt se kushdo tjetër.
Në tubimin elektoral në Ferizaj, Haradinaj tha se me atë kryeministër do të ulet edhe çmimi i energjisë elektrike.
“Po ju garantoj se edhe pse s’jam kryeministër, por si opozitar kam punuar për anëtarësim në NATO. Ju garantoj se me qenë kryeministër, po ju siguroj se e përfundojë më mirë dhe shpejt se kushdo tjetër në këtë vend”, tha ai.
Ai ka kritikuar kryeministrin aktual, Albin Kurti duke thënë se “i ka lënë fëmijët në shtëpi për 45 ditë vetëm se s’i jepte 50 euro mësimdhënësve, e tash po thotë qytetarëve se “po më thoni babë se dëshironi me m’i dhanë fëmijët e juaj me i rritë unë”.
“Po thotë dikush se po më thirrni kështu e ashtu se po doni me m’i dhanë fëmijët me iu rritë. Ai i njëjti na i ka lënë fëmijët në shtëpi diku 45 ditë për 50 euro që s’ua jepte mësimdhënësve. Ai që i do fëmijët e Kosovës, i do mësimdhënësit, i rritë pagat dhe ndërton çerdhet që si ka ndërtuar. Cila logjikë thotë se po m’i jepni mua fëmijët e unë po i poshtëroj mësimdhënësit”, theksoi Haradinaj.
Simpatizantëve në Ferizaj iu drejtua edhe partneri i koalicionit të AAK-së, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili adresoi akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Ai tha se qeveria Kurti ishte një mashtrim i madh që u kthye në zhgënjim për qytetarët e Kosovës.
“Ata hipin në Prishtinë, vijnë nëpër autostradë të Ferizajt, dhe vijnë këtu shpifin, rrejnë dhe shajnë se është shkatërruar Kosova se 20 vjet. Nga kalove ti kur erdhe deri në Ferizaj….Ne i kemi bërë ato vepra, ju kaloni në vepra tona. Prandaj kjo është të fitojë Kosova dhe të mos fitojë një parti politike”, theksoi Limaj.
Edhe kandidatët për deputetë të koalicionit AAK, Nisma, Konservatorët dhe Forumi Intelektual E30, IDEAL kërkuan votën për, siç thanë, ndryshimin e Kosovës./KosovaPress