Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Jonathan Hargreaves.
Haradinaj pas takimit ka thënë se kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Pata nderin të pres Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Jonathan Hargreaves. Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, perspektivën euroatlantike të Kosovës, përfshirë Planin Aksional për Antarësim të Kosovës në NATO”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Me Ambasadorin Hargreaves, biseduam gjithashtu për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe menaxhimin e këtij procesi, deri në certifikimin e rezultateve. Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Vlerësojmë lart përkrahjen e vazhdueshme të Londrës për konsolidimin e shtetit tonë dhe forcimin e demokracisë, si dhe angazhimin e tyre për stabilitetin në rajon”, është shprehur Haradinaj.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Jonathan Hargreaves, gjatë ditës ka takuar edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.