Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër i Koalicionit për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç ka thënë ai, dëmtim të raporteve me Shtetet e Bashkuara.
Në tubimin elektoral në Drenas, Haradinaj tha se Kurti është “në drejtim të gabuar, të rrezikshëm dhe humbës”.
“Ne jemi në drejtim të gabuar. Qeveria e këtij që po shkon, që po i them shko, shko mashtruesit, vërtetë është në drejtim të gabuar dhe drejtim të rrezikshëm e humbës. Për këtë e kemi quajtur Koalicioni për Kosovën Fituese. Me votën e juaj na ndihmoni, së pari me u lidhë me Amerikën prap, me u lidhë me presidentin Trump dhe me u lidhë me adresën tonë që e ka fuqinë dhe vendimin më të madh”, tha ai.
Sipas tij, Kurti do ta rrisë çmimin e energjisë sërish.
“Kush e voton atë që po shkon, mashtruesin, besoni se ka me u rritë çmimi [i energjisë] pa kontrollë edhe disa herë. Nuk ju kam në qafë dhe ju kam treguar edhe shumë herët se ky është mashtrues. Po, i ka shtuar 10 euro shtesa, na ka jep edhe kah 100 euro, por po na merr kah gjashtë-shtatë herë paret tona”, shtoi Haradinaj.
Krahas kësaj, Haradinaj para simpatizantëve në Drenas tha se nëse marrin besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit do të themelojnë Ministrinë e kategorive të lirisë si dhe Ministrinë e familjes./KosovaPress