Hapet rruga për certifikimin e rezultateve

Hapet rruga për certifikimin e rezultateve

Gjykata Supreme e Kosovës i refuzoi si të pabazuara dy ankesat e fundit lidhur me procesin zgjedhor. Kjo i hap rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, shkruan KosovaPress.

Supremja refuzoi të martën ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë demokratike të Ashkalinjve.

“Dy ankesat e pranuara me datë 21 mars 2025, një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në faqen zyrtare të gjykatës.

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë më 21 mars në Supreme, kundër vendimit të PZAP-së ku u rrëzua ankesa e tyre për anulim të votave me postë të LDK-së si dhe kërkesën për rivotim me postë, transmeton KosovaPress.

E zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha më herët për KosovaPress se varësisht prej vendimmarrjes së Supremes, do t’i zbatojnë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.


Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i hapte rrugë rrjedhjes së afateve ligjore për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.

Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

Sipas rezultateve, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë, shkruan KosovaPress.

Lexo edhe: https://kosovapress.com/nprag-te-certifikimit-te-rezultateve

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video