Hamza: E diela, dita jonë

Hamza: E diela, dita jonë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza tha se nesër do të thyhet rekordi i daljes në votim dhe sipas tij do të hapet një faqe e re historisë. Ai në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, i cili u mbajt në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, kërkoi votën e qytetarëve duke thënë se do t’i përmirësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, u tha se PDK-ja ka bërë fushatë pozitive dhe pa akuzuar të tjerët.

Hamza edhe një herë tha se do të jap dorëheqje nëse nuk e realizon rritjen e pagave prej 50 për qind.

“Fushata ishte rrugëtim i gjatë, dhjetëra mijë qytetarë na pritën gjithandej fshatrave malor të Sharrit deri në bjeshkët e bukura të Shalës së Bajgorës, nga qytetet e bukura të Dukagjinit deri te Drenica historike. Nga Ferizaj i bizneseve deri te Gjilani. Dhe ja ku jemi sonte këtu në Prishtinë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, në sheshin që mban emrin e njërit prej heronjve më të mëdhenj të UÇK-së ku jo larg shumë nga këtu kemi edhe Nënë Terezën, sheshin Skënderbeu dhe më poshtë bulevardin ‘Bill Clinton’ dhe ‘Xhorxh Bush’. Në këtë shesh me shumë simbolike historike, ju sonte po jepni provimin e fundit, provimin e fushatës pozitive, fushatës njerëzore, fushatës për jetë të dinjitetshme dhe për ekonomi të zhvilluar”, deklaroi Hamza.

Hamza në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore tha se do të punojë që të kthejë shpresën në vend, për çka edhe tha se “ju jep fjalën qytetarëve”.

“T’i ndreqim marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Bashkimit Evropian. Të lidhim miqësi të reja në krejt kontinentet, me një diplomaci të urtë. Dhe kjo është besëlidhja ime me çdo qytetar të Kosovës, çdo votues dhe me çdokënd që e do një Kosovë më të mirë”, shtoi Hamza para qytetarëve.


Kandidati i PDK-së për kryeministër tha se nesër do të thyhet rekordi i daljes në votim.

“Dijeni që e diela është dita jonë. Borë a shi, nxehtë a ftohë do të dalim në numër rekord, kemi me dal me motra e vëllezër, me gra e me burra, e me nëna e me babë,  i madh e i vogël për të votuar dhe të dëshmojmë edhe një herë siç dëshmuam me 1999 dhe me 2008 se burimi i lirisë i demokracinë tonë janë qytetarët qe duan bashkimin dhe jo politikanët që përçajnë. Do të thyejmë rekordet e daljes në votim, do të thyejmë rekordet e votave dhe do të ju tregojmë të gjithëve që një faqe e re e historisë po hapet. Një faqe e bardhë e mbushur me shpresa, me punë dhe kontributin tuaj ”, deklaroi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi kërkoi edhe nga qytetarët që nuk kanë votuar për PDK-në në të kaluarën, të dielën t’i japin një shans Bedri Hamzës.

“Ne zhvilluam një fushatë shprese dhe mirëkuptimi. Një fushatë pozitive, nuk bërtitëm, nuk akuzuam të tjerët. Nuk përhapëm urrejtje dhe përçarje. Nuk akuzuam askënd për mungesë patriotizmi. Përkundrazi, ne e dimë se vetëm të bashkuar mund ta çojmë vendin tonë përpara. Vetëm të bashkuar mund ta bëjmë jetën e të gjithëve ma të mirë. E sonte dua të ju drejtohem veçanërisht atyre qytetarëve që nuk kanë votuar për PDK-në në të kaluarën- ejani dhe bashkohuni me ne sepse këto zgjedhje nuk janë për një parti por për të ardhmen e Kosovës. Prandaj me mirësjellje ju kërkoj që të votoni për PDK-në nesër, ju kërkoj që të ja jepni një shans Bedri Hamzës”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi përmendi edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në Hagë.

“Nga ky shesh i mbushur me shpresën e mijëra qytetarëve, edhe në emrin tuaj, ua përcjellim përshëndetjet dhe nderimet e përzemërta tona çlirimtarëve të Kosovës, presidentit Hashim Thaçi, kryetarit Kadri Veseli, kryetarit Jakup Krasniqi, deputetit Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre, që po e zhvillojnë në Hagë betejën e fundit për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit tonë. Kosova mundet ma mirë. Të gjithë e dimë këtë. Të gjithë e ndiejmë”, u shpreh Krasniqi. Nesër më 9 shkurt qytetarët e Kosovës votojnë në zgjedhjet e  rregullta parlamentare./KosovaPress

Lexo edhe

Video