Hamza në Malishevë: Fitores së PDK-së i gëzohen edhe liderët tanë në Hagë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza tha se fitorja në zgjedhjet e 9 shkurtit do të gëzojë edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Kështu u shpreh ai në tubimin elektoral të mbajtur në Malishevë, ku tha se programi i PDK-së në fokus ka zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e perspektivave për të rinjtë e vendit.

Hamza të premten premtoi fondin për bursat shtetërore dhe mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve në sektorin privat.

“Vizioni jonë, programi jonë konsiston në atë që ne fokus kryesor e kemi zhvillimin ekonomik, që të krijojmë vende të reja të punës, që të krijojmë perspektiva për të rejat dhe të rinjtë, që ta bëjnë jetën në Kosovë, që të kenë paga të dinjitetshme dhe që të mos ta shikojnë migracionin si mundësi të vetme edhe jetën jashtë Kosovës. Do të përkrahim bizneset, do t’i mbrojmë të drejtat e të punësuarve në sektorin privat. Për neve arsimi është prioritet i lartë. Ne do të punojmë për arsim të shekullit 21. Ne do të formojmë fondin për bursa shtetërore, 25 milionë euro çdo vit për bursa për të rejat dhe të rinjtë që asnjë vajzë, asnjë djalë të mos ngelet pa i realizuar ëndrrat e tyre për shkak të kufizimeve financiare”, tha Hamza.

Ndër tjera, Hamza premtoi edhe gjashtë miliardë euro për projektet e infrastrukturës.


Në tubimin elektoral në Malishevë ai tha se do të rriten edhe pensionet për kategoritë e dala nga lufta dhe nuk do të detyrohen të zgjedhin mes dy pensioneve.

“Po, ne kemi me i rrit pagat 50 për qind në fillim të mandatit, për mësuesit, për arsimtarë, për profesorë, për infermierë, për policë, për zjarrfikës, për ushtarë, për gjithë 84 mijë njerëz që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës. ne do të rrisim pensionet 70 për qind për kategoritë më meritore, për kategoritë e dala nga lufta, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe për më tepër ne nuk do t’i kufizojmë dhe nuk do t’i drejtojmë familjet e dëshmorëve që të zgjedhin mes pensionit të dëshmorit por do t’i marrin të dyja. Veteranëve do tu njihet e drejta e punës”, shtoi Hamza.

Ndër tjera, Hamza tha se “fryma e fitores së PDK-së është gjithandej”, për çka shtoi se asaj i gëzohen edhe liderët që po mbahen në Hagë.

“Të jeni të bindur e të bindura që kjo fitore, kjo frymë, ky sukses më gëzon mua, i gëzon miqtë e mi që janë kandidatë për deputet, i gëzon koleget e mia që janë kandidate për deputete, ju gëzojnë juve, por i gëzojnë edhe liderët tanë në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin. Prandaj me 9 shkurt të gjithë bashkë, në mënyrë solemne, në mënyrë masive, në mënyrë masive me dal me votu dhe me vulos fitoren e PDK-së”, tha Hamza.

Lexo edhe

Video