Hamza mësimdhënësve: Përkushtimi juaj duhet të shpërblehet me pagë dinjitoze

Rritje të pagave, teknologji moderne në shkolla dhe universitete, laboratorë dhe bursa shtetërore ka premtuar kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza.

Në tubimin e mbajtur me punëtorët e sektorit të arsimit, të hënën në Prishtinë, Hamza ka thënë se do ta reformojë sistemin e vlerësimit dhe inspektimit si dhe do vendos një sistem më transparent dhe të drejtë në vlerësimin e punës së tyre.


“Rritja e pagave për mësuesit, profesorët dhe gjithë punëtorët e arsimit do të ndodhë. Përkushtimi juaj duhet të shpërblehet me pagë dinjitoze. Qysh në vitin e parë të qeverisjes sime, do të rrisim pagat e sektorit publik, për 50 për qind, për të siguruar që ju punoni me dinjitet dhe motivim. Nuk mund të kërkojmë rezultate nga ju, nëse shumicën e kohës jeni të zënë me dokumente dhe me raporte të pa nevojshme. Do ta reduktojmë barrën burokratike, do ta reformojmë sistemin e vlerësimit dhe inspektimit, si dhe do të vendosim një sistem më transparent dhe të drejtë në vlerësimin e punës suaj”, ka thënë Hamza.

Hamza ka shtuar se nuk do të ketë më pasiguri në vendin e punës.

“Nuk do të ketë më pasiguri për vendin e punës, do të krijojmë një sistem të drejtë dhe të bazuar në meritokraci ku promovimi dhe avancimi të bazohen në përkushtimin dhe aftësitë tuaj, jo në politika apo ndikime të jashtme, jemi lodhur nga këto mënyra, nuk e meritoni. Po ashtu do të ketë teknologji moderne në shkolle dhe universitete. Do të ketë edhe bursa dhe mbështetje financiare për nxënësit dhe studentët tanë. Ne do të themelojmë fondin për bursa shtetërore që do të jetë starti 25 milionë euro”, ka shkruar Hamza.

Lexo edhe

Video