Kosova ka qenë të enjten nikoqire e takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, si kryesuese e këtij mekanizmi rajonal në vitin 2025, raporton KosovaPress.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, tha se, Kosova u përfaqësua në CEFTA si palë e barabartë, pa praninë e UNMIK-ut, kësisoj duke shënuar “një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe forcimit të rolit në proceset ekonomike rajonale”.
Ajo tha se Kosova do të ketë një kryesim aktiv, me synim arritjen e zbatimit të suksesshëm të vendimeve të CEFTA-s të miratuara në vitin e kaluar, dhe zhvillimet e mëtejshme në lidhje me marrëveshjen CEFTA, si dhe të sigurojë zbatimin e masave të CEFTA-s në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2 të Procesit të Berlinit, raporton KosovaPress.
Ndërkaq, David Hudson nga Komisioni Evropian, që ishte pjesë e takimit të sotëm të vendeve të CEFTA-s, tha se ky mekanizëm synon të sjell benefite te bizneset dhe konsumatorët vendorë.
Ai e mirëpriti edhe dakordimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara drejt tregut të përbashkët rajonal, raporton KosovaPress.
Në anën tjetër, ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, duke i prezantuar objektivat dhe prioritetet e arritura në këtë mbledhje, tha se në takimin e sotëm morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e shteteve rajonale, përfshirë edhe Serbinë e cila u përfaqësua online, raporton KosovaPress.
Kosova që nga tetori i vitit 2024 përfaqësohet nga institucionet e saj, pa prezencën e UNMIK./KosovaPress
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim