Hajdari: Koha po e rrezikon adresimin e krimeve të luftës

Ish-prokurorja speciale, Drita Hajdari deklaron se çështja e kohës po kanos adresimin e krimeve të luftës. Njëzet e gjashtë vjet pas luftës, ajo shton se Prokuroria Speciale po përballet me vështirësi për hetimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë. Veç kësaj, ajo thekson edhe mungesën e bashkëpunimit juridik me Serbinë, çështje të cilën Hajdari thotë se e ka ngritur edhe në një konferencë në Beograd.

Në intervistën për KosovaPress, Hajdari shprehet e zhgënjyer me institucionet vendore, nga të cilët thotë se ka pritur që pas pensionimit t’i ofrohet mundësia për kontribut në këtë fushë.

Javën e kaluar, ish-prokurorja Drita Hajdari është dekoruar me medaljen e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Meritës nga Franca, në shenjë mirënjohje për drejtësinë dhe sundimin e ligjit.

Pas pensionimit, ajo flet për sfidat kryesore me të cilat përballet Prokuroria Speciale në hetimin e krimeve të luftës.


Pas marrjes së kompetencave nga institucionet vendore në hetimin e krimeve të luftës, Hajdari tregon se ngritja e aktakuzave bëhej vetëm kur është siguruar prezenca e të akuzuarit, raporton KosovaPress.

Me hyrjen në fuqi të Kodit të Procedurës Penale në vitin 2022, prokurorisë i është mundësuar që të ngrit aktakuzën në mungesë. Ish-prokurorja speciale, Drita Hajdari thotë se një gjë e tillë ka qenë e domosdoshme.

Në fund të vitit 2024, Hajdari ka qenë e ftuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd për të marrë pjesë në konferencën rajonale, në të cilin u diskutua për procedimin e krimeve luftës. Ajo thotë për KosovaPress se “ka qenë e vetëdijshme për rrezikun që i kanoset”.

Ish-prokurorja speciale, Drita Hajdari shprehet e zhgënjyer me institucionet vendore, ku thotë se pas pensionimit nuk i është dhënë mundësia që të ndihmojë sistemin e drejtësisë në adresimin e krimeve të luftës.

Gjatë viteve 1998-1999 janë vrarë mbi 13 mijë civilë nga forcat serbe, janë zhdukur mbi 6 mijë, ndërkohë që 1600 prej tyre vazhdojnë të jenë të pagjetur dhe janë dhunuar seksualisht mbi 20 mijë gra e burra.

Lexo edhe

Video