Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka kritikuar topat e përdorur në kompeticionet e Kupës së Anglisë, shkruan KosovaPress. Komentet e tij pasojnë ato të trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, i cili u tall në fillim të sezonit kur ai shprehu zemërimin e tij për përdorimin e topit në Kupën Carabao pas një humbjeje kundër Neëcastle në gjysmëfinale.
City fitoi 3-1 në FA Cup kundër skuadrës së Championship, Plymouth të shtunën, por pati 20 goditje jashtë portës në ndeshje. Për këtë, Guardiola tha se nuk ishte i kënaqur me topat Mitre të përdorura në FA Cup.
“Topi në Champions League është i jashtëzakonshëm, topi në Premier League është i jashtëzakonshëm, ky nuk është”, tha ai. “Është e vështirë të kontrollosh. Kur e humbet duket sikur ankohesh, por topi nuk është i duhuri. Për shumë vite ka ndodhur në FA Cup dhe Carabao Cup, e di që është një biznes dhe ata arrijnë në marrëveshje. E dini sa gjuajtje shkuan huq? Shikoni ndeshjet e tjera. Normalisht topi shkon brenda nga këto goditje”, vazhdoi Guardiola në konferencë pas ndeshjes, përcjellë KosovaPress.
Topat Nike përdoren në Premier League, ata të Adidas në Champions League, topa Kipsta në Europa League dhe topa Puma për Kupën EFL.
Në përgjigje të komenteve të Guardiolës, një zëdhënës i Federatës së Futbollit tha: “Topi Ultimax Pro i Mitre – i përdorur në Kupën FA të Emirateve dhe të gjitha garat e tjera të FA – është testuar në përputhje me testimin e FIFA-s.
Tre golat e Cityt në ndeshjen e së shtunës në FA Cup erdhën nga 29 goditje, nga të cilat nëntë ishin në portë. Klubeve u jepen topat përkatës për t’u stërvitur përpara ndeshjeve të kupës.