Bashkëshortja e zëvendëspresidentit JD Vance, Usha Vance dhe një delegacion amerikan do të shkojnë të enjten në Grenlandë për të vizituar vendet historike dhe për të mësuar rreth trashëgimisë së territorit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Vizita treditore do të zhvillohet në kohën kur presidenti i SHBA-së Donald Trump vazhdon të shtyjë për idenë e aneksimit ose blerjes së këtij territori strategjik gjysmë autonom danez, gjë e cila është kundërshtuar nga qeveritë e Grenlandës dhe Danimarkës, transmeton KosovaPress.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz dhe sekretari i Energjisë, Chris Wright do të vizitojnë një bazë ushtarake amerikane në Grenlandë si pjesë e udhëtimit, tha një zyrtar amerikan.
Vendndodhja strategjike e Grenlandës, si dhe burimet e saj të pasura minerale, mund të jenë të dobishme për SHBA, pasi ajo ndodhet në rrugën më të shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut, një pozicion vendimtar për sistemin e paralajmërimit të hershëm të raketave balistike amerikane.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se Danimarka dëshiron të bashkëpunojë me SHBA-në, por se duhet të jetë bashkëpunim i bazuar në “rregullat themelore të sovranitetit”.
Ajo shtoi se dialogu me SHBA-në do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë daneze dhe qeverinë e ardhshme të Grenlandës.
Qeveria e Grenlandës aktualisht është në periudhë kalimtare pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 marsit të fituara nga një parti që favorizon pavarësinë graduale nga Danimarka, por aneksimin apo blerjen nga SHBA-ja.
Gjatë mandatit të tij të parë në pushtet nga viti 2017 deri në vitin 2021, Trump ngriti idenë për të blerë Grenlandën nga Danimarka, por zyrtarët në të dy vendet thanë se ajo nuk ishte në shitje.