Greva e punëtoreve teknike, Kuvendi nënshkroi 6 kontrata njëburimore

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, organizata Demokraci Plus (D+), ka publikuar hulumtimin mbi kontratën e Kuvendit të Kosovës me kompaninë “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë”, e cila ishte shkak i grevës së punëtoreve teknike të kompanisë për rreth 80 ditë. Sipas këtij hulumtimi, që nga viti 2018, Kuvendi i Kosovës ka nënshkruar nëntë kontrata me këtë kompani, gjashtë prej tyre një burimore.

Hulumtuesi në organizatën Demokraci Plus, Ardit Dragusha tha se kontratat e nënshkruara nga Kuvendi i Kosovës dhe kompania në fjalë në vitin 2022 dhe 2023, dëshmojnë se ky institucion kishte diskrecion në përcaktimin e nivelit të pagës minimale në kontratat për sigurimin e shërbimeve mbështetëse, raporton KosovaPress.

Dragusha potencoi se në kontratën një burimore të nënshkruar në vitin 2024 me kompaninë “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë”, kuvendi nuk kishte përcaktuar nivel të pagës minimale as në dosje të tenderit e as në kontratë.


Ai theksoi se në dosjen e tenderit për kontratën gjatë së cilës ndodhi greva, kuvendi kishte përcaktuar se nuk do të kishte kompensim shtesë për punën pas orarit apo gjatë fundjavës.

Dragusha tha se kontratën e nënshkruar në nëntor të vitit 2024 nga Kuvendi i Kosovës, përfshihet një klauzolë sipas së cilës puna jashtë orarit ose gjatë fundjavës, nuk do të kompensohet financiarisht.

“Duke përcaktuar një dokumentacion e tenderit se asnjë punëtore e kompanisë nuk do të merrte pagesa shtesë për punën jashtë orarit kuvendi e krijonte një bazë që mundësonte shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga kompania e kontraktuar. Situata me grevën e punëtorëve e cila zgjati 79 ditë u zgjidh në nëntor të vitit 2024, kur kuvendi nënshkroi edhe një kontratë një burimore me këtë kompani. Megjithatë, në këtë kontratë kuvendi përcaktoi një nivel page minimale bruto në shumën 450 euro. Edhe në këtë kontratë kuvendi e përfshiu një klauzolë sipas së cilës puna jashtë orarit ose gjatë fundjavës nuk do të kompensohet financiarisht. Që nga viti 2018 Kuvendi i Kosovës ka nënshkruar nëntë kontrata për shërbime mbështetëse me kompaninë Schafberber dega në Kosovë, nga të cilat gjashtë janë kontrata një burimore”, tha Dragusha, raporton KosovaPress.

Punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës hynë në grevë nga data 16 shtator 2024 dhe vazhduan atë për rreth 80 ditë. Kërkesa e tyre ishte që paga të rritet në 550 euro.

Lexo edhe

Video