Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se për shkak të një defekti në rrjet, një pjesë e Prishtinës, ka mbetur pa ujë që nga paraditja e djeshme.
Sipas banorëve, ata janë pa ujë edhe sot. Ndërkohë, KRU “Prishtina”, ka njoftuar se se banorët që janë mbetur pa ujë janë ata në rrugën , “Muharrem Fejza”, “Holger Petersen”, rruga “B”, “Ukshin Kovaqica”, “Jakov Xoxa”, “Ahmet Gashi”, “Muhamet Qami” dhe rrugët për rreth Mati-1.
Sipas njoftimit, ekipet teknike janë ende në terren për gjetjen e defektit, raporton KosovaPress.
Përndryshe, Sot shënohet Dita Botërore e Ujit, e cila është përcaktuar me rezolutën e OKB-së në dhjetor 1992 dhe tema e këtij viti është “Ruajtja e akullnajave”.
Me shënimin e kësaj dite, OKB-ja synon të rrisë rëndësinë e mbrojtjes së ujërave dhe mungesën e ujit të pijshëm.
Për çdo vit në Ditën Botërore të Ujit theksohen aspektet specifike të ujit të pijshëm siç janë: uji për qytete, kualiteti i ujit, ujerat ndërkufitare, uji dhe kultura etj. Sipas vlerësimeve deri në vitin 2025, dy të tretat e popullsisë botërore do të jenë të goditura me kërkesë të madhe për ujë të pijshëm.
Ekspertët vlerësojnë që rreth 1.1 miliard njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, ndërsa 2.5 miliardë të tjerë nuk i kanë të siguruara kushtet elementare higjieno-sanitare, raporton KosovaPress .
Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë mjaft të errëta. Në raportin e tyre theksohet se burimet e ujit do të zvogëlohen vazhdimisht për shkak të rritjes së numrit të popullsisë, ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.
/KosovaPress/