Një gjykatë në Korenë e Jugut ka vendosur kundër grupit të njohur të K-pop-it, NewJeans, i cili kërkoi të shkëpuste lidhjet me shtëpinë diskografike Ador. Vendimi ndalon grupin, i cili ishte riemëruar NJZ dhe kishte nisur të organizonte vetë aktivitetet e tij, nga çdo veprimtari e pavarur, përfshirë publikimin e muzikës dhe marrëveshjet e sponsorizimit, shkruan BBC.
Grupi akuzoi Ador për keqtrajtim dhe shpalli largimin e tij në nëntor 2024, pas pretendimeve se kompania mëmë Hybe kishte larguar mentoren e tyre, Min Hee-Jin, dhe kishte ndërmarrë veprime për të dëmtuar karrierën e grupit. Anëtarja Hanni gjithashtu denoncoi ngacmim në ambientin e punës. Si kundërpërgjigje, Ador i paditi për shkelje kontrate dhe kërkoi ndalimin e tyre nga çdo aktivitet i pavarur, duke argumentuar se grupi po përpiqej të nënshkruante marrëveshje jashtë autorizimit të shtëpisë diskografike, përcjell KosovaPress.
Të premten, gjykata në Seul vendosi se pretendimet e NewJeans nuk dëshmonin mjaftueshëm se Ador kishte shkelur kontratën dhe se kompania kishte përmbushur detyrimet e saj, përfshirë pagesat ndaj grupit. Gjykata theksoi gjithashtu se një shkëputje e njëanshme do të dëmtonte rëndë jo vetëm Ador, por edhe vetë markën NewJeans.
Grupi, që ka shprehur respekt për vendimin, argumenton se nuk pati mundësinë të paraqiste plotësisht rastin e tij dhe synon të apelojë. “Ne nuk mund të mbetemi nën një menaxhim që ka nuk ka respektuar identitetin dhe arritjet tona”, thanë ato në një deklaratë.
Ndërkohë, procesi gjyqësor për vlefshmërinë e ndërprerjes së kontratës vazhdon, duke hedhur pasiguri mbi të ardhmen e grupit dhe publikimin e këngës së tyre të re të planifikuar për të dielën.