Një gjykatë në Japoni ka urdhëruar shpërbërjen e Kishës së Unifikimit, një organizatë fetare kontroverse që u vu në qendër të vëmendjes pas vrasjes tronditëse të ish-kryeministrit Shinzo Abe në vitin 2022.
Autori i dyshuar i vrasjes kishte pranuar se mbante një mllef ndaj Abe për shkak të lidhjeve të tij me këtë kishë, të cilën ai e fajësonte për falimentimin e familjes së tij, njofton BBC.
Ministria e Arsimit dhe Kulturës e Japonisë kërkoi shpërbërjen e kishës, duke e akuzuar atë për manipulim të besimtarëve që i detyronte të dhuronin shuma të mëdha parash dhe të bënin sakrifica të tjera financiare.
Megjithatë, Kisha e Unifikimit, e njohur gjerësisht si “Moonies”, argumentoi se donacionet ishin pjesë e aktiviteteve legjitime fetare. Ajo ka të drejtën të apelojë vendimin e dhënë të martën nga një gjykatë e distriktit të Tokios.
Urdhri i shpallur nga gjykata do ta heqë statusin e përjashtimit nga taksat për kishën dhe do ta detyrojë atë të likuidojë asetet e saj, por nuk do t’i ndalojë operacionet e saj në Japoni, përcjell KosovaPress.
Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan se kisha i detyronte ndjekësit e saj të blinin sende të shtrenjta duke shfrytëzuar frikën e tyre për mirëqenien shpirtërore.
Gati 200 persona u intervistuan dhe pretenduan se ishin viktimizuar nga praktikat e kishës.
Kisha e Unifikimit, e cila e ka origjinën në Korenë e Jugut, u vendos në Japoni që nga vitet 1960. Emri “Moonies” vjen nga themeluesi i saj, Sun Myung Moon.
Që përpara vrasjes së Abe, kisha kishte ngjallur polemika për mësimet e saj, duke theksuar se martesa është thelbësore për shpëtimin shpirtëror. Ajo njihet për organizimin e dasmave masive me mijëra çifte.
Që nga viti 2023, rreth 200 ish-anëtarë që thanë se ishin detyruar të dhuronin fonde kishës, kanë kërkuar kompensime që arrijnë në 5.7 miliardë jen (rreth 38.5 milionë dollarë), sipas avokatëve të tyre.
Hetimet pas vrasjes së Abe zbuluan lidhje të ngushta mes kësaj kishe dhe shumë deputetëve konservatorë të partisë në pushtet, çka çoi në dorëheqjen e katër ministrave.
Një hetim i brendshëm nga Partia Liberale Demokrate (LDP), e drejtuar nga kryeministri Fumio Kishida, zbuloi se 179 nga 379 ligjvënësit e saj kishin pasur kontakte me Kishën e Unifikimit.
Marrëdhëniet përfshinin pjesëmarrjen në ngjarje të kishës, pranimin e donacioneve dhe mbështetjen elektorale.
Zbulimet mbi shkallën e përfshirjes së kishës me LDP-në tronditën opinionin publik në Japoni.