Etiketimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj si “gjeneral i vetëshpallur” të cilin ia bëri ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Lëvizjes Vetëvendosje i kushtoi 10 mijë euro. Ky është edhe dënimi më i rëndë që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia shqiptoi këtij subjekti politik me vendimet e 29 janarit 2025.
Ajo gjatë fjalimit të saj tha se opozita “nuk dinë dhe nuk duan të qeverisin në Kosovë,” teksa kandidatin për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj e ka quajtur “hero të Çakorrit” dhe “gjeneral të vetëshpallur”.
https://kosovapress.com/haradinaj-i-pergjigjet-gevalles-jam-bere-nervoz
Me 5 mijë e 500 euro, LVV-ja u dënua edhe për deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo në një tubim në Viti pati deklaruar se “kundërshtarët tanë, kundërshtarët tanë janë bërë bashkë, pra klanet e krimit dhe korrupsionit janë bërë bashkë”.
Për përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe nxitëse kundrejt partive kundërshtare, LVV u dënua edhe për një postim të kandidatit për deputet, Haxhi Avdyli. Shuma e dënimit të shqiptuar është 5 mijë e 500 euro.
Partia në pushtet është dënuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa edhe me tetë mijë euro për shkak që “akterë të partisë penguan gazetarët në kryerjen e punës gjatë tubimit në Malishevë dhe Klinë”. Madje, siç thotë PZAP-ja, gjatë pengimit kanë përdorur edhe gjuhë që nxit dhunën.
PZAP e ka dënuar me 3 mijë euro LVV-në edhe për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në tubime zgjedhore. Saktësisht kandidatja për deputete nga kjo partie, Mimoza Kusari-Lila gjatë një tubimi në Istog ka publikuar një fotografi ku shihet edhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç. Ndërsa, për pjesëmarrje të fëmijëve në tubim zgjedhor është dënuar me 2 mijë euro LVV nga PZAP edhe për pjesëmarrje të fëmijëve edhe në tubimin zgjedhor në Prishtinë.
https://kosovapress.com/article?id=592984
Me 4 mijë euro PZAP e ka dënuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për vendosjen e postareve të kandidatëve për deputet në rrugë publike në Pejë. Krahas kësaj shume, për vendosje të posterëve në hapësira publike dhe në stacionin e trafikut publik në Prishtinë, PZAP e dënoi LDK edhe me 5 mijë e 500 euro të tjera./ KosovaPress/