Gazetarja dhe artistja ukrainase, Lyudmila Makey ka hapur sot ekspozitën personale “Bright on Black”, me ç’rast mjetet e fituara do të dhurohen për bamirësi në Ukrainë.
Makey ka ekspozuar disa piktura të punuara vetë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, çmimi i të cilave është dhjetë euro.
Gazetarja dhe shkrimtarja, Lyudmila Makey tregoi se me t’u hapur ekspozita, ka pasur interesim të madh për t’i blerë pikturat e saj.
Ajo potencoi se të ardhurat nga kjo ekspozitë do t’i dërgojë për t’i ndihmuar ushtrinë ukrainase.
Makey tha se ekspozitat e ardhshme do të jenë më të mëdha, raporton KosovaPress.
“Prishtina është shtëpia ime e dytë. Është një vend i veçantë për zemrën time, sepse këtu kam takuar njerëz shumë miqësorë dhe mikpritës. Ata janë jashtëzakonisht miqësorë. Tani kam shumë miq, kolegë. Kam mundësinë të vazhdoj punën time si gazetar dhe të realizohem si artiste…Është e papritur për mua, por për tani të gjitha janë shitur. Dhe ndiej se duhet të pikturoj më shumë e më shumë, sepse shumë njerëz duan t’i blejnë ato. Ekspozita e ardhshme, mendoj, do të jetë më e madhe…. Kam disa kolegë të mi ukrainas, vullnetarë. Ata po ndihmojnë ushtrinë ukrainase”, u shpreh Makey.
Gazetarja dhe artistja ukrainase, Lyudmila Makey, e cila po qëndron tash e disa kohë në Prishtinë, tha se ky vend është “dashuri e mrekullueshme për të”.
Ajo theksoi se kur pikturon, shërohet duke ëndërruar për paqe në vendin e saj, Ukrainën.
“Prishtina është dashuri e mrekullueshme e imja. Kështu, kam shumë frymëzim nga miqtë e mi, nga natyra e mrekullueshme, nga Parku i Germisë. E dini, është shumë e vështirë kur çdo ditë lexon lajme shumë të trishtueshme nga Ukraina. Dhe çdo gjuajtje dhe bombardim lë një vrimë në zemrën time. Kështu, kur pikturoj, shërohem. Unë ëndërroj për paqe, për dashuri, për lumturi në familjet tona”, potencoi Makey.
Erblina Kransiqi nga organizata jo qeveritare Jesuit Refugee Service (JRS), tha se ky aktivitet dy ditor i Makeyt ndihmon që refugjatët të ambientohen me vendin dhe të lirohen duke shprehur artin, raporton KosovaPress.
Ekspozita personale “Bright on Black”, është e hapur sot dhe të mërkurën nga ora 11:00 deri në orën 16:00.
Kjo ekspozitë është e treta me radhë nga gazetarja ukrainase Lyudmyla Makey.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.
/KosovaPress/