Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Arben Gashi, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë.
Ai tha se procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar.
“Siç po duket, procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar. Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor. Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë”, shtoi ai, raporton KosovaPress.
Gashi ka përmendur edhe një fenomen i cili sipas tij është manipulimi masiv me votën e diasporës.
“Një fenomen tjetër i vërejtur në këto zgjedhje është manipulimi masiv me votën e diasporës. Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme”, shtoi Gashi.