Rritje të pagave, projekte kapitale, mbështetje për gratë, siguri energjetike e armatim modern për ushtrinë, janë disa nga zotimet e partive politike që i thanë të martën në tubimet e mbajtura me qytetarë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, foli nga Theranda prej ku tha se mandatin e ardhshëm do të kenë program superpuna për gratë, ndërkaq përsëriti zotimin për pagë minimale mbi 500 euro.
Kurti, ndër të tjera, premtoi se qeveria e tij në mandatin e ardhshëm, do të investojë 1 miliardë euro për ushtrinë e Kosovës. Ai përmendi blerjet e dronëve dhe pajisjeve moderne ushtarake, si dhe ndërtimin e fabrikës së municionit në vend.
“Mandatin që e kemi pas 9 shkurtit, përqendrimi ynë do të jetë pikërisht në ndërtimin e asaj autostradës Duhël-Banullë, dhe në këtë mënyrë padrejtësia që e i është bërë Suharekës do të korrigjohet me këto rrugë të reja, me këtë autostradë të re. Në Therandë e kemi edhe një projekt tejet të rëndësishëm, e ai është projekti i digës së Dragaqinës, rëndësinë e këtij projekti askush në Kosovë nuk e di më mirë së ju vet, e ai do të jetë në mesin e 5 rezervuarve të ujit që do t’i ndërtojmë gjatë qeverisjes së re në mandatin e ardhshëm. Pra, Suhareka do të bëhet edhe me autostradë edhe me digë të re, që sigurojnë edhe qëndrueshmëri edhe zhvillim”, tha Kurti.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në Klinë ku kandidati për kryeministër, Bedri Hamza premtoi përfundimin e autostradës për Pejë.
Ai tha se do ta ndërtojë unazën e re që lidh rrugët Klinë – Skenderaj dhe Klinë – Istog, si dhe premtoi ta bëjë funksionale linjën hekurudhore Klinë – Prizren.
“Projektet kapitale, kam premtu mbi 6 miliardë euro për një mandat 4-vjeçar, në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, furnizimin me ujë, projektet e tjera transformuese, që do ta ndryshojnë Kosovën. Do të përfundohet përfundimisht rruga prej Prishtinës deri në Pejë, linjat hekurudhore Prizren – Klinë dhe Pejë – Klinë, që vazhdojnë në drejtim të Fushë Kosovës, do të jenë të modernizuara dhe gjithandej Kosovës do të ketë projekte. Na nuk jemi ata që ndajnë, na jemi ata që bashkojmë”, Hamza.
Kryetari i Lidhjes Demokratike dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, pas tubimit në Fushë Kosovë tha se këto zgjedhje “janë refuzim kategorik ndaj dështimit të shtetit”.
“Humbjet e mundësive të mëdha dhe zbehja e perspektivës për gjeneratat e reja janë vetëm dy nga rreshtat e shumtë në faturën e shtrenjtë të popullizmit. Ne nuk mund ta lejojmë Kosovën të vazhdojë të jetë e fundit në Europë. Për mua, dhe për ne në LDK, këto zgjedhje janë refuzim kategorik ndaj dështimit të shtetit, dhe hap i guximshëm drejt ndryshimit të vërtetë! Sepse Kosova nuk mund të përballojë më dështime. Ne nuk mund ta lejojmë më largimin e të rinjve nga vendi! Koha për ndryshim është tani. Është koha ta marrim përgjegjësinë që na takon, të guxojmë dhe ta sjellim ndryshimin që qytetarët meritojnë. Është koha të veprojmë për të rinjtë që nuk duan të largohen nga atdheu, për bizneset që kërkojnë mundësi ta zhvillojnë vendin, dhe për çdo familje që meriton jetë më të mirë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga Koaliconi për Kosovën Fituese, nga Istogu ka folur për dyfishim të pagave.
“Kur kemi folur ne për dyfishim të pagave, në fillim janë trem’ krejt, tani e keni parë që na kanë zënë gati, kanë nisur me 50, me 70 për qind, edhe pak kanë me thënë qind për qind që i bjen dyfishim. Në çka jam bazur unë me thënë që kanë me u dyfishuar pagat në Kosovë. Së pari matjet buxhetore, së dyti, e kam ditur se duhet me nda më shumë para për paga sepse janë tri shtylla ku shkon buxheti, pagat, mallrat shërbimet, dhe janë pa investimet kapitale, projektet. Ekziston mundësia një pjesë të madhe të projekteve tona mos me investu direkt prej buxhetit, duhet me kthy ligjin për investime strategjike, dhe duhet me kthy partneritetin publiko privat”, tha Haradinaj.
Fushata zgjedhore ka nisur më 11 janar. Qytetarët e Kosovës do të votojnë më 9 shkurt – në zgjedhjet e para të rregullta që nga shpallja e pavarësisë më 2008./KosovaPress.