Kompania e Deminimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës filloi të hënën operacionin humanitar për pastrimin e fushave të minuara dhe fushëbetejave,.
Kjo sipas FSK-së, po bëhet me qëllim të pastrimit dhe sigurimit të zonave të caktuara nga mjetet e pashpërthyera.
“Gjatë këtij viti, njësitë e deminimit do jenë të angazhuara në pastrimin e tri lokacioneve në territorin e Republikës së Kosovës: në fshatrat Muradem dhe Maja e Cvilenit të komunës së Prizrenit si dhe në Parkun e Lirisë në Ferizaj dhe gjithashtu do të ofrojnë kujdestari 24/7 për largimin e mjeteve të pashpërthyera që mund të hasen nga qytetarët”, tha FSK-ja në një njoftim në Facebook.
Këto operacione janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të FSK-së për të garantuar një mjedis të sigurt për qytetarët dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.