Florida ka nisur një hetim penal ndaj influencerëve britaniko-amerikanë Andrew dhe Tristan Tate, të cilët udhëtuan javën e kaluar në këtë shtet nga Rumania, ku përballen me akuza për përdhunim dhe trafikim njerëzor.
Prokurori i Përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, konfirmoi se janë lëshuar urdhër-kërkime dhe thirrje në gjykatë si pjesë e hetimit aktiv, shkruan BBC.
Vëllezërit Tate përballen gjithashtu me një padi civile në SHBA.
Ata mohojnë të gjitha akuzat. Andrew, 38 vjeç, dhe Tristan, 36, përballen me akuza të ngjashme edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku autoritetet e Bedfordshire kërkojnë ekstradimin e Andrew Tate për përdhunim, trafikim dhe evazion fiskal.
Në Rumani, ata u arrestuan për herë të parë në dhjetor 2022 dhe kaluan disa muaj në arrest shtëpie.
Në gusht 2024, u akuzuan për trafikim të miturve dhe marrëdhënie seksuale me të mitura, akuza që gjithashtu i mohojnë.
Ata duhet të kthehen në Bukuresht në fund të marsit për të përmbushur kërkesat e prokurorisë, por mbetet e paqartë nëse do të zbatojnë këtë detyrim.
Avokati i tyre, Joseph McBride, kritikoi hetimin në Florida, duke e cilësuar atë të njëanshëm dhe politikisht të motivuar.