Flet avokati i Hekuran Nikçit, pas ndalimit të këtij të fundit

Flet avokati i Hekuran Nikçit, pas ndalimit të këtij të fundit

Avokati i Hekuran Nikçit – kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Arianit Koci, ka reaguar pas ndalimit të këtij të fundit të enjten, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ky ndalim është i panevojshëm dhe i pabazuar”, ka shkruar Koci në Facebook.

Sipas tij, Nikçi po hetohet “pa prova konkrete për përgjegjësinë e tij penale, ndërsa mënyra se si po zhvillohet ky proces nuk i ngjan një hetimi të drejtë dhe ligjor”.

Koci ka thënë se kjo është çështje e interpretimit juridik të veprimeve ligjore të palëve në një kontest administrativ.


“Drejtësia duhet të mbetet e pavarur dhe e paanshme, pa u ndikuar nga faktorë politikë apo interesa të tjera.Do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e z. Nikçi dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent”, ka shkruar ai.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe u.d menaxheri i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, Naim Shalaku, janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Për ndalimin ka njoftuar të enjten Prokuroria Themelore në Prishtinë duke bërë të ditur se Njësia e Policisë kundër Pastrimit të Parave ka intervistuar të dyshuarit, e më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje. 

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit, do të paraqesë brenda afatit ligjor masën për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda./KosovaPress

Lexo edhe: https://kosovapress.com/arrestohen-hekuran-nikci-e-naim-shalaku-nen-dyshimin-per-keqperdorim-te-detyres-zyrtare

Lexo edhe

Video