Fitimet e Audi pësuan rënie 33% në vitin 2024

Fitimet e Audi pësuan rënie 33% në vitin 2024

Fitimet e prodhuesit gjerman të makinave Audi ranë me 33% në 4.189 miliardë euro në 2024, për shkak të një rënieje të kërkesës për automjete në Kinë, njoftoi sot kompania.

Audi, pjesë e Grupit Volksëagen, raportoi se të ardhurat ranë vitin e kaluar në 64.532 miliardë euro, një ulje prej 7.6% krahasuar me vitin 2023.

Fitimi operativ gjithashtu u përkeqësua, duke arritur në 3.903 miliardë euro, 37.8% më pak se vitin e kaluar, një rënie që, sipas kompanisë, u shkaktua nga kostot e ristrukturimit si pasojë e mbylljes së njësisë prodhuese në Bruksel.

Për shkak të rënies së fitimeve, marka pritet të reduktojë 7,500 vende pune në Gjermani deri në fund të vitit 2029 për të kursyer më shumë se një miliardë euro në vit në afat të mesëm, shkruan LUSA.

Kryetari i Audi, Gernot Döllner, tha gjatë prezantimit të rezultateve se “ndryshimet ekonomike globale dhe konkurrenca ndërkombëtare që intensifikohet përbëjnë sfida të mëdha për Audi dhe industrinë në përgjithësi”.

Audi, e cila zotëron gjithashtu markat Bentley, Lamborghini dhe Ducati, do të përqendrohet në vitin 2025 në rinovimin e portofolit të saj me “modele të rinj të shumtë”.


“Ne gjithashtu po vëmë theks të veçantë në pozicionimin tonë në tregjet kyçe të Kinës dhe Amerikës së Veriut”, shtoi Döllner.

Fabrikat gjermane në Ingolstadt dhe Neckarsulm kanë për qëllim të bëhen më produktive, më të shpejta dhe më fleksibël për të realizuar kalimin në mobilitetin elektrik.

Markat Audi, Bentley, Lamborghini dhe Ducati shpërndanë 1,692,548 automjete vitin e kaluar, 11.8% më pak se në vitin 2023, dhe 54,495 motoçikleta, 6.4% më pak se vitin e kaluar, transmeton KosovaPress.

Planet e Audi përfshinin lansimin e 20 modeleve të reja në 2024 dhe 2025, gjysma e të cilave do të jenë elektrike.

Audi do të dhurojë një bonus prej 5,310 euro për punonjësit e kualifikuar në Gjermani si pjesë e rezultateve operacionale të kompanisë, krahasuar me 8,840 euro në vitin 2023.

Kompania parashikon se viti 2025 do të jetë “një vit tjetër i vështirë”, në të cilin do të ketë të ardhura midis 67.5 dhe 72.5 miliardë euro.

Lexo edhe

Video