Vizita e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndësishme, për shkak se u zhvillua në një kohë të tronditjeve të mëdha politike dhe e njëjta rikonfirmon përkushtimin serioz të Aleancës për siguri në Kosovë.
Kështu thotë drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi derisa thekson se shefi i NATO-s riafirmoi “vullnetin e palëkundur që nëpërmjet misionit të KFOR-it të garantojë paqen dhe stabilitetin”, shkruan KosovaPress.
“Vizita e sekretarit Rutte, në Sarajevë dhe Prishtinë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Për shkak se, e para, zhvillohet në një kohë të tronditjeve të mëdha gjeopolitike. Dhe e dyta, për shkak se mesazhet e tij rikonfirmojnë përkushtimin serioz dhe të palëkundur të Aleancës Veriatlantike, për paqen dhe sigurinë edhe në Bosnje edhe në Kosovë. Si dy pikat më problematike, duke pasur parasysh rolin destruktiv të Beogradit zyrtar dhe angazhimin e vazhdueshëm secesionist të Milorad Dodikut nga Republika Sërpska. Në këtë kuptim, mendoj që edhe në Prishtinë, zotëri Rutte riafirmoi vullnetin e palëkundur të NATO-s nëpërmjet misionit të KFOR-it këtu, të garantojë paqen dhe stabilitetin duke u shprehur i qartë që nuk mund të lejohet kthim në vitet e ’90-ta”, thotë Fetoshi.
Rutte qëndroi në Kosovë pas një vizite që e zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte tha të martën se do të vazhdojnë të mbështesin procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton KosovaPress.
“Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise. Kjo kërkon vendime të vështira, normalizomi sjell stabilitet më të madh dhe siguri me afatgjatë për gjithë rajonin. Ky është mesazhi që unë do të vazhdojë te theksojë para të gjitha palëve në rajon“, tha Rutte të martën në konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai shtoi se zgjidhja për një paqe afatgjatë është politike.
“Prania e sotme këtu është një demonstrim i qartë i përkushtimit për siguri afatgjatë në Kosovë. NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ekipet e ndërlidhjes së KFOR-it vazhdojnë të mbështesin institucionet e tjera të sigurisë. Një rajon më i sigurt nënkupton më shumë siguri për zonën e NATO-s. NATO do të vazhdojë të luaj rolin e vet, këtë e bëjmë në bashkërendim me Policinë dhe Eulexin“, tha ai, transmeton KosovaPress.
Pas takimit me Osmanin, Rutte u prit në takim edhe nga kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti./Z.Zeneli
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim
https://kosovapress.com/rutte-per-dialogun-palet-duhet-te-bejne-kompromise