Ditën e hënë më 17 shkurt do të mbushen 17 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Lindja e shtetit më të ri do të shënohet edhe këtë vit me një sërë aktivitetesh.
Ndërkohë flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë valojnë në sheshet kryesore të Prishtinës.
Agjenda e aktiviteteve për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës përfshin mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës, ngritjen e Flamurit të Kosovës, nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë dhe Monumenti Heroinat, homazhe te varret e ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, Kompleksin Memorial “Adem Jashari” Prekaz.
Në sheshin “George Bush” do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Koncerti i Pavarësisë do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu”, ndërsa do të hapet edhe ekspozita “Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar” në Bibliotekën “Pjetër Bodani”.
Aktivitetet e tjera qendrore përfshijnë konferencën e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, pritja shtetërore nga presidentja, kryeparlamentari e kryeministri i Kosovës, dhe koncerti solemn i Filarmonisë së Kosovës.
Aktivitete të ndryshme në shënim të kësaj dite do të mbahen edhe në komuna tjera.
Kosova më 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë e cila deri më tash është njohur nga më shumë se 110 shtete të botës.