Kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s pritet të prodhojë fabrika e municionit e cila pritet të themelohet në Kosovë. Marrëveshja me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes është nënshkruar të hënën dhe kjo po konsiderohet hap i rëndësishëm për forcimin e ushtrisë.
Gurakuq Kuçi, hulumtues në Institutin “Octopus” thotë për KosovaPress se shteti nuk është në garë armatimi me askënd veçse po e forcon ushtrinë në pajtim me praktikat më të mira të NATO-s.
“Po ashtu Kosova nuk është duke bërë asnjë lloj gare armatimi me askënd përveç forcimit të një ushtrie e cila është e nevojshme për secilin shtet në botë, andaj në kuadër të kësaj edhe Kosova është duke ndërmarrë hapat e caktuar siç është tani çështja e prodhimit të dronëve ushtarakë, sepse kur jemi në një periudhë të zhvillimit të teknologjisë, ne çdo herë e më shumë kemi nevojë që kufijtë e Kosovës, por edhe të secilit shtet, dhe i gjithë territori i saj, të kontrollohet nëpërmjet dronëve”, thotë ai.
Për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, marrëveshja u nënshkrua të hënën me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi”.
“Krahas makinerisë prodhuese, në kontratën e nënshkruar sot, parashihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim”, njoftoi Qeveria e Kosovës.
Sipas ekzekutivit, pas funksionalizimit, fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe si “markë 100% vendore e Republikës së Kosovës”.
“Ne kemi bërë ushtrime bashkë me ushtrinë e Turqisë, kemi blerë pajisje, municione dhe armatime që prodhon Turqia, e tash është koha që edhe të prodhojmë bashkë në vendin tonë”, tha Kurti më 16 dhjetor.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…