Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vlerësoi marrëdhëniet e vendit të tij me Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se dy vendet së bashku, si aleatë të NATO-s, kontribuojnë drejtpërdrejt në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit
Erdogan sot priti në një takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ndërsa pas takimit, dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Në fjalën e tij, Erdogan tha se në takimin me Mickoskin janë diskutuar rrugët për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa me një deklaratë të përbashkët të nënshkruar, është krijuar mekanizmi i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë midis dy vendeve, raporton AA, transmeton KosovaPress.
“Kam dëshirë që në periudhën e ardhshme të vizitoj Shkupin për takimin e parë të Këshillit”, tha president turk.
Ai theksoi se hapat që mund të ndërmerren drejt avancimit të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike kanë qenë një nga temat kryesore të takimit të sotëm, duke shtuar se firmat turke kanë investime në vlerë që i afrohet shifrës 2 miliardë dollarë në Maqedoninë e Veriut, në sektorë të shumtë, si bankat, shëndetësi, arsim dhe energji të rinovueshme.
“Ne po i vazhdojmë përpjekjet tona për të dyfishuar vëllimin tregtar në fazën e parë, i cili i është afruar shifrës prej 1 miliard dollarësh”, tha presidenti Erdogan, duke shtuar se përditësimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë do të kontribuonte në këtë drejtim.
Ai njoftoi se po ashtu janë shqyrtuar në detaje marrëdhëniet në fushën ushtarake dhe projektet e përbashkëta në industrinë e mbrojtjes.
“Me Maqedoninë e Veriut, aleatin e NATO-s, jemi dy vende mike që kontribuojmë së bashku drejtpërdrejt në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit”, tha më tej Erdogan.
Ai deklaroi se vendi i tij vazhdon të punojë me besimin se Ballkani nuk duhet të jetë fushë rivaliteti, por fushë e bashkëpunimit dhe zhvillimit.
Erdogan vlerësoi rolin e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut si urë midis dy vendeve.
Sipas tij, dy liderët kanë biseduar edhe për tema të tjera rajonale dhe globale, si lufta në Ukrainë dhe situata në Palestinë. Ai tha se dy vendet kanë shprehur vullnetin e përbashkët drejt zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Para konferencës për media, dy liderët nënshkruan deklaratë të përbashkët politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve.