Sot, është mbajtur ceremonia e lansimit të ekipeve të përbashkëta hetimore, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, të zbatuar nga Sustainble Criminal Justice Solutions (SCJS), për “Forcimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe mbështetjen e krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër financave të paligjshme, raporton KosovaPress.
Një nismë e rëndësishme që synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet departamentit të Policisë së Kosovës dhe Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se është përgjegjësi e këtyre institucioneve për të mbrojtur pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve. Tutje ambasadori Hargreaves tha se i ka bërë përshtypje mënyra se si Kosova e realizon këtë mision. Ai theksoi se ka ende punë për të bërë, por gjithashtu theksoi se është i vetëdijshëm për synimin që kanë këto institucione për të forcuar më tej demokracinë, shkruan KosovaPress.
Ardian Hajdaraj, kryesues i Këshillit Prokurorial, duke falënderuar Ambasadën Britanike për ndihmën e dhënë përmes këtij projekti, theksoi se ekspertiza e ofruar, mbështetja e ofruar dhe bashkëpunimi me ekspertë vendor kanë qenë thelbësore për të siguruar cilësinë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore është një hap i rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetarët, raporton KosovaPress.
Hoxha tha se këto ekipe do të angazhohen në hetimin e krimeve të rënda, të cilat kërkojnë një koordinim të ngushtë dhe shkëmbimin e informacioneve mes institucioneve.
Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndër institucional për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve.