Oleksandr Usyk synon të luftojë edhe dy herë të tjera përpara se të tërhiqet nga boksi, me kundërshtarin e tij ideal të parë Daniel Dubois ose Joseph Parker – por “armiku” i tij i fundit mund të jetë një i papritur.
Në maj, Usyk u bë kampioni i parë i padiskutueshëm i peshave të rënda në 24 vjet, duke mposhtur Tyson Fury, përpara se të përsëriste rezultatin në dhjetor për të ruajtur këtë titull.
Midis këtyre rezultateve, ukrainasi e liroi titullin e IBF, që do të thotë se kampioni i përkohshëm Dubois u ngrit në titullin zyrtar. Dubois e mbajti titullin duke mposhtur Anthony Joshuan në shtator dhe ai mbron medaljen e artë kundër Parker më 22 shkurt, transmeton KosovaPress.
“Unë do të luftoj me atë që do të fitojë,” tha Usyk për ‘Sky Sports’. “Joseph Parker apo Daniel Dubois, nuk ka problem. Ndihem mirë vetë. Ndjej se kam dy luftime për t’u përgatitur, jo më shumë – vetëm dy”, ka shtuar ai.
Ndërkohë 38-vjeçari emëroi kampionin e UFC-së Alex Pereira si një kundërshtar të mundshëm shokues në ndeshjen e tij të fundit të boksit.
Pereira, një ish-kampion i kikboksit, ka pasur një karrierë të shkurtër, por të jashtëzakonshme në UFC. Në vitin 2022, braziliani fitoi titullin e UFC në peshën e mesme, një vit pasi iu bashkua promovimit. Më pas, pasi humbi titullin, ai u ngjit në peshën e lehtë, ku fitoi më shumë trofe.