Kate Cassidy, influencerja amerikane dhe e dashura e këngëtarit të ndjerë Liam Payne, ka folur hapur për dhimbjen e saj pas vdekjes së tij tragjike. Ajo rrëfeu se ende nuk e ka pranuar plotësisht faktin që ai nuk është më.
Payne, 31 vjeç, humbi jetën në tetor të vitit të kaluar pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Argjentinë. Cassidy ishte me të në Buenos Aires, por ishte kthyer në SHBA pak ditë para ngjarjes fatale, përcjellë KosovaPress.
Në një intervistë për ITV, ajo tregoi se i duket e vështirë ta përmendë Payne në kohën e shkuar.
“Kur flas për të në të shkuarën, më dhemb edhe më shumë, sepse e bën gjithçka më reale, më zyrtare,” tha ajo.
Cassidy, 25 vjeç, pranoi se ka ditë të vështira dhe shpesh e ka të vështirë të ngrihet nga shtrati në mëngjes. Megjithatë, ajo u shpreh mirënjohëse për mbështetjen që ka marrë nga njerëzit e saj të afërt.
Ajo gjithashtu falënderoi prezantuesen Lorraine Kelly dhe televizionin ITV për një nismë të re mbi shëndetin mendor, në të cilën ajo po merr pjesë.
“Besoj me gjithë zemër se Liam, në një farë mënyre, më udhëhoqi drejt këtij projekti dhe donte që unë të ndihmoja të tjerët,”, përcjellë KosovaPress.
Duke folur për rëndësinë e ndërgjegjësimit mbi shëndetin mendor, ajo theksoi se Payne ishte gjithmonë i hapur për betejat e tij dhe se tani ajo po e mbështet këtë fushatë në emër të tij, përcjellë KosovaPress.