Djali i presidentit të SHBA-së Donald Trump Junior ka shpërndarë në rrjetin social X reagimin e emisarit për misione të veçanta Richard Grenell, në të cilin Lëvizja Vetëvendosje në pushtet konsiderohet partner jo i besueshëm i Uashingtonit zyrtar.
Grenell në postimin e tij më datën 3 shkurt ka shkruar se retorika e përdorur nga kryeministri Albin Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme.
Postimi i plotë i Grenell:
Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri…dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm.
Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.
Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit.
Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni.
Kujtojmë, Albulena Haxhiu e Donika Gërvalla nga Lëvizja Vetëvendosje kanë komentuar deklarimet e Grenell duke i quajtur ato si “mendime personale dhe të pavërteta”.