Organizata “Animals Kosovo”, në bashkëpunim me partnerë nga Holanda, ka ndarë donacione ushqimore për qentë dhe macet endacake, duke mbështetur aktivistët që kujdesen për këto kafshë. Donacionet përfshijnë ushqime të posaçme, të cilat janë shpërndarë te vullnetarët, të cilët kujdesen për kafshët.
Shpërndarja e ushqimeve për vullnetarët që kujdesen për kafshët është bërë në fshatin Komoran të Drenasit. Aty morën pjesë vullnetarë nga rajone të ndryshme të Kosovës.
Sadri Sopi, themeluesi i shoqatës “Animals Kosovo”, theksoi se që nga krijimi i organizatës, ata kanë sjellë ndihma për kafshët dhe vullnetarët që kujdesen për to. Ai sqaroi se ndihmat shpërndahen falas dhe fokusohen te rastet më urgjente, veçanërisht për qentë jashtë zonave të banuara, ku rreziku për mbijetesë është më i madh.
“Që 1 vit e kam themeluar shoqatën për çështjen e kafshëve dhe të maceve të pa streha në Kosovë “Animals Kosovo”, me shkurtesën AniKos, dhe prej atij momenti kemi filluar të sjellim ndihma për kafshë dhe për vullnetarë që ndihmojnë kafshët. Të gjitha ndihmat që i sjellim janë donacione, iu jepen falas të gjithëve, ne përcaktohemi për rastet që janë më urgjente, sidomos vullnetarët që shkojnë nëpër male dhe fusha, dmth jashtë vendbanimeve, sepse qentë aty më shumë rrezikohen me ngordhje. Më pak orientohemi te këta ushqyesit që janë në qytete dhe fshatra, shumica shkon jashtë qyteteve sepse ata e kanë më vështirë të mbijetojnë. Ne kemi sjellë ushqime për maca dhe qentë. Transporti i fundit është më shumë për maca”, tha ai.
Arbër Vokërri, përfaqësuesi i Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal, tha se ky donacion është ndërmjetësuar nga AniKos, në bashkëpunim me partnerë të tjerë nga Holanda. Ai bëri të ditur se ndihmat e sjella nga AniKos, deri më tani, kanë tejkaluar shumën prej 1 milion eurosh brenda një periudhe më pak se një vit.
“Ky është donacioni i radhës i ndërmjetësuar dhe organizuar nga shoqata AniKos nga Holanda, në bashkëpunim me partnerë të tjerë holandezë, dhe me neve si Ministri për Administratën e Pushtetit Lokal, e cila është e ngarkuar me përgjegjësinë për ta mbikëqyrur zbatimin e strategjisë kombëtare për menaxhimin e qeneve në Kosovë. Donacionet që deri më tani i ka sjellë AniKos e kanë tejkaluar shumën prej 1 milion, dhe është fjala për një periudhë më pak se 1 vjeçare”, tha ai.
Ndërsa, Emine Haxhiu, aktiviste për kafshët dhe përfituese nga ky donacion, e quajti këtë ndihmë shumë të rëndësishme, duke theksuar se më herët askush nuk kishte marrë një iniciativë të tillë për të ndihmuar kafshët endacake, përfshirë macet, qentë dhe shpezët. Ajo shpreson që kjo nismë të motivojë të tjerët që të ndihmojnë më shumë.

“Jam një aktiviste e kafshëve, ushqejmë, strehojmë të gjitha. Kjo është një ndihmesë shumë e madhe, ky organizim. Më herët nuk e ka marrë iniciativën askush me bërë një lloj organizimi të tillë. Për macet, qentë, shpezët, për çdo krijesë që ka nevojë. Është një ndihmesë shumë e madhe, meqë edhe të tjerët e marrin këtë hap, për secilin prej neve është puna më e lehtë”, tha ajo.
Veterinari Ilirjan Jusufi tha se kanë filluar sterilizimin dhe kastrimin e qenve dhe maceve endacake në bashkëpunim me Sadri Sopin dhe fondacionin e tij, të mbështetur nga Holanda. Ata theksuan se kjo është një mënyrë e domosdoshme për të ulur numrin e kafshëve endacake dhe për të reduktuar praninë e tyre në rrugë.
“Kemi filluar sterilizimin dhe kastrimin e qenve dhe maceve të pa streha. Kanë filluar disa kolegë, por edhe ne që jemi në Prishtinë, kemi filluar. Klinika jonë, që quhet “Fauna Jonë”, ka filluar në bashkëpunim me Sadri Sopin dhe bashkëpunim me fondacionin e tij që mbështetet nga Holanda, me një çmim shumë të arsyeshëm. Po iu mundësohet që të gjitha kafshët, macet dhe qenët, t’i sterilizojmë dhe t’i kastrrojmë. Qëllimi është që të ulet popullimi i tyre në mënyrë që të mos kemi prezencë të shtuar në rrugë”, tha ai.
Këto nisma kanë një rëndësi të madhe për të ndihmuar qentë dhe macet endacake, sidomos e bëjnë më të lehtë për vullnetarët e kafshëve të cilët kujdesen me pasion për kafshët.