Djali i Thaçit: Babin nuk e lejuan t’ia gjuajë gjyshit një grusht dhe të Drenicës

Djali i Thaçit: Babin nuk e lejuan t’ia gjuajë gjyshit një grusht dhe të Drenicës

“Gjyshi priste çdo minutë që babi të hapte derën e spitalit”, tha Endriti, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, gjatë fjalimit në mbledhjen komemorative për gjyshin e tij, Haxhi Thaçi.

Ai ka ndarë kujtime nga ditët e fundit të gjyshit të tij, ku ndër të tjera tha se tri orët që Haxhi Thaçi i kaloi me të birin të enjten në QKUK, ishin më të rëndësishmet e jetës së tij.

“Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve, shpresa për të ritakuar babin, dhe bashëkëluftarët e tij në Hagë ishte më e madhe sesa dhimbja e sëmundjeve. Besimi në pafajësinë e tyre ishte më i hekurt sesa aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit, çdo orë e minutë priste që babi të hapte derën e spitalit. Nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa herë. Tre orë bashkëbisedim atë ditë, u bënë tri orët me të rëndësishme të jetës së tij. Një bisedë, babë e bir. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin. Vdekjen e shpejtë të gjyshit e pash në fytyrën e babit kur doli nga spitali”, tha Endrit Thaçi.

Ai tha se Haxhi Thaçi ishte “kështjellë e pathyeshme e urtësisë dhe dashurisë”.

Gjatë fjalimit të tij, Endriti përmendi mungesën e ish-presidentit Thaçi i cili ndodhet në Hagë duke u përballur me një proces të tejzgjatur gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.


“Një sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë, krenar dhe me dinjitet. Siç thoshte shpesh gjyshi, me vdekë pa u korit. Gjysh as sot nuk jemi korit, fatkeqësisht babin nuk e lejuan të japë lamtumiren e fundit bashkë me ne sot,  nuk e lejuan të ja gjuajnë një grusht të dheut të Drenicës mbi varrë, por në vend të babit, sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina”, tha Thaçi.

Varrimi i Haxhi Thaçit pritet të bëhet sot në ora 15:00 në varrezat e fshatit Burojë të Skenderaj.

Haxhi Thaçi vdiq të dielën vonë pasi u përballë me probleme shëndetësore, për çka qëndroi një kohë i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Hashim Thaçi vizitoi të enjten babain e vet në QKUK, me një leje nga Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KosovaPress.

Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

Lexo edhe

Video