Qytetarët përgatiten për protestë kundër shtrenjtimit të rrymës

“Ditë e natë, nëse ka nevojë, në rrugë do të qëndroj”, thotë Maliq Mehmeti – një qytetar i mllefosur me propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ngritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.

Mehmeti dhe qytetarë të tjerë pritet të kundërshtojnë këtë vendim përmes protestës, në fillim të muajit të ardhshëm.

Protesta po organizohet nga grupi “Jo Rritjes së Çmimit të Energjisë Elektrike në Kosovë! AsnjeCentMeShumë”.

Qytetari Maliq Mehmeti e konsideron rritjen si të papërballueshme, duke e krahasuar me çmimet në vendet evropiane.

“Shumë shtrenjtë është [rryma], më shumë se në perëndim, më shumë se në Zvicër. Unë e kam djalin në Zvicër, gruaja më punon, i merr 400 euro pagë, 200 paguaj rrymë, gjysmë rroge e gruas shkon për rrymë. Sikur djali im në Zvicër të paguajë, e ka 5 mijë franga pagën, të paguajë 2 mijë e 500 franga në muaj. Është e njëjtë, ne nuk mund të përballojmë këto çmime. Duhet protestë masive, krejt të dalim, i vogël e i madh. Ditë e natë nëse ka nevojë në rrugë do të qëndroj”, thotë Mehmeti.

Edhe qytetari Fehmi Aliu shprehet se propozimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike është diskriminues.

“Ky çmim është jo real, diskriminues për gjithë qytetarët, dhe çdo protestë e cila organizohet do t’i bashkangjitem. Këtu, përkundrazi duke pas parasysh standardin që kemi po shtrenjtohen, nëse nuk ndërhyn shteti këta nuk ka kush me i ndal”, thotë Aliu.


Themeluesi i grupit, Luan Hasanaj thotë se thirrjes tashmë i janë bashkuar mbi dy mijë qytetarë, të cilët sipas tij e konsiderojnë ditën e shtunë – 5 prill, për të protestuar lidhur me shtrenjtimin.

“Ne jemi mobilizuar dhe po kërkojmë prej ZRrE-së, bordit të tyre, që të mos marrin këtë vendim. Kundërshtimi i qytetarëve është shumë i madh, me secilin që diskutojmë, jo vetëm me biznese, por edhe me qytetarët të gjithë janë të gatshëm të angazhohen për të kundërshtuar qoftë me protesta apo qoftë edhe me mënyra tjera”, thekson Hasanaj.

Edhe njohësi i ekonomisë, Adem Qorrolli e cilëson rritjen si një lajm të keq për qytetarët dhe bizneset.

Ai thotë se ky vendim do të ndikojë jo vetëm në tarifat e energjisë, por edhe në rritjen e çmimeve të produkteve esenciale, të cilat do të ndikojnë seriozisht në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Rritja energjisë elektrike për 15 për qind është një lajm jo shumë i mirë për qytetarët e vendit dhe bizneset, sepse edhe bizneset do të kenë një tarifë, paguajë rrymën para se të vijë koha e shfrytëzimit të energjisë dhe sigurisht institucionet janë shumë afër të bërit biznes me energji. Kështu kur kemi interes qeveritar në të bërit pazare energjetike, atëherë edhe qytetari do të pësojë dhe sigurisht do të pësojë edhe me këtë rritjen prej 15 për qind. Dhe do të pësojnë edhe në gjitha produktet esenciale qofshin ato dhe të rëndomtat”, thotë Qorrolli.

Ditë më parë, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu në një intervistë për KosovaPress njoftoi gjithashtu se pritet një rritje prej rreth 15 për qind në tarifat e energjisë për konsumatorët fundorë.

Më 14 mars, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për rreth 15 për qind – në muajin e ardhshëm./E.Krasniqi

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video