Sot shënohet Dita Botërore e Ligatinave e cila është një mundësi e mirë për të kërkuar ndryshimin e situatës dhe ndërgjegjësuar publikun mbi rëndësinë që kanë ligatinat për të ardhmen e njerëzimit.
Dita Botërore e Ligatinave përkon me miratimin e Konventës për Ligatinat më 2 shkurt 1971 në Ramsar të Iranit.
Ligatinat ose sistemet e “tokave të lagura”, janë sipërfaqe ujore të përhershme ose përkohshme deri në 6 metra thellësi, dhe përbëjnë një ekosistem mjaft të rëndësishëm që siguron larmi përfitimesh përfshirë filtrimin e ujit, sigurimin e biodiversitetit, mbrojtjen e bregdetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Qeveria e Kosovës në vitin 2014 ka marrë vendim për shpalljen e Ligatinës së Hencit – Zonë e Veçantë e Mbrojtur e Zogjve, me sipërfaqe prej 109 hektarësh. /KosovaPress/