Dita e Mësuesit

Dita e Mësuesit

Dita e mësuesit është një festë e cila i kushtohet mësimdhënësve, në shkolla dhe universitete.

Shtatë marsi e ka zanafillën e hershme, që kujton themelet e para të shkollës shqipe. Ka filluar të kujtohet që kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe, në Korçë, shkruan KosovaPress.

Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë u themelua në mars të vitit 1887.

Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe të gjithë punonjëseve të arsimit, si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.


Dita e Mësuesit festohet në të gjitha trevat shqiptare si një ngjarje me rëndësi dhe ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.

Kjo ditë shënohet tradicionalisht edhe në Kosovë, me aktivitete të ndryshme, raporton KosovaPress.

Në Prishtinë, për shembull, sot do të ndahen mirënjohje për disa mësimdhënës të dalluar, si dhe do të ketë vizitë në shkollën “Mehmet Gjevori”, e cila mban emrin e pedagogut nga Shqipëria që në vitet ’40-të iu bashkua përpjekjeve për arsimimin e gjeneratave në Kosovë.

Gjatë ditës, KosovaPress do të sjell disa rrëfime të mësimdhënësve që nuk ndalën përpjekjet për arsimim gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Lexo edhe

Video