Disa rajone të Spanjës në alarm për shkak të reshjeve të dendura

Disa rajone të Spanjës në alarm për shkak të reshjeve të dendura

Rajoni i Valencias në lindje të Spanjës dhe Ishujt Kanarie në jugperëndim kanë kaluar në alarm për shkak të reshjeve të dendura.

Në një deklaratë nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave, të lidhur me qeverinë autonome të Valencias thuhet se në qytetet Castellon dhe Alicante kanë kaluar në alarmin e kuq për shkak të reshjeve të dendura, transmeton AA.

Mësohet se për shkak të alarmit, shumë rrugë në disa qyteza në Castellon janë mbyllur për qarkullim, mësimi në shkolla është pezulluar dhe aktivitetet në natyrë janë shtyrë.

Autoritetet u kërkuan qytetarëve të shmangin udhëtimet kur nuk janë të detyruar dhe të shmangin aktivitetet brenda dhe pranë shtretërve të lumenjve.

Autoritetet meteorologjike theksuan se në Castellon kanë rënë rreth 200 litra reshje për metër katror.


Drejtoria e Situatave Emergjente e qeverisë autonome të Ishujve Kanarie tha se në shumë vende të ishujve është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura, përcjell KosovaPress.

Në pamjet e shpërndara në mediat sociale, në disa vende si në Castellon si dhe në Grand Canary paraqiten automjete që janë përfshirë nga uji, fushat bujqësore të përmbytura si dhe rrugë pjesërisht të shembura.

Autoritetet meteorologjike kanë njoftuar se reshjet e dendura të shiut do të pakësohen që nga dita e nesërme.

Sot është gjetur trupi i një fermeri 50-vjeçar, i cili u shpall i zhdukur më 2 mars për shkak të reshjeve të dendura në qytezën Lorca në qytetin Murcias.

Në fatkeqësinë e përmbytjeve që ndodhi në Spanjë më 29 tetor, e cila goditi veçanërisht rajonin e Valencias humbën jetën 232 persona.

Qeveria njoftoi se rreth 14 miliardë euro do të ndahen për të ndihmuar viktimat e fatkeqësive në 78 rrethe dhe qytete, 75 prej të cilave janë në Valencia si dhe për të ndihmuar në rindërtimin e rajonit.

Lexo edhe

Video