Pas seancës fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për veprën penale “kanosja” të mërgimtarit Riad Munishi, ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, sot në ora 16:00 do të bëhet shpallja e aktgjykimit.
Munishi po akuzohet se që nga data 27 shkurt e deri më 2 mars 2025, ka kanosur Bashën nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me fjalë të ndryshme, edhe pasi që Basha ka denoncuar atë në Polici, i njëjti ka thënë “shihemi pas gjyqit”.
Prokurori i rastit, Paulin Pashku ka bërë kërkesën për masë të paraburgimit, apo dënimi të paguhet përmes gjobës një mijë e pesëqind euro, por avokati i të pandehurit ka kundërshtuar masën e paraburgimit.
I akuzuari, Munishi ka pranuar fajin e tij dhe ka kërkuar falje ndaj Bashës dhe i premtoi se nga ai nuk do të ketë ndonjë kërcënim ndaj tij apo familjes së tij.
“Ndihem fajtor plotësisht. I kërkoj falje Dimal Bashës. Nga unë nuk do të ketë asnjëherë ndonjë kërcënim apo kanosje, as ndaj tij, e as familjes së tij. I kërkoj falje që e kam shqetësuar”, tha Munishi.
Por deputeti Dimal Basha nuk pranoi faljen e tij. Ai tha se ndihet i kërcënuar nga ai, pasi që Munishi kishte kërcënuar Bashën edhe në vitin 2023.
“S’kam asgjë me shtuar. I bashkëngjitëm ndjekës penale. Po ndihem i rrezikuar ndaj të pandehurit. Edhe në vitin 2023 i njëjti ka kërcënuar gjithashtu me kanosje”, u shpreh Basha.
Ndërsa, prokurori Paulin Pashku ka kërkuar masën e paraburgimit, pasi që viktima ndihet i kanosur ndaj tij.
Gjyqtarja Edita Çanta bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot në ora 16:00.
Ky është rasti i dytë që deputeti Dimal Basha, kërcënohet në rrjetin social facebook. Basha ka qen në legjislaturën e kaluar por ka marrë votat e mjaftushme për të qen sërish deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.