Albanologia Anna Di Lellio gjatë një ligjërate që sot mbajti në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë, tha se qëndresa dhe rezistenca e minatorëve ishte moment kyç për historinë e Kosovës, duke shënuar fillimin e fundit të Jugosllavisë.
Di Lellio me këtë ligjëratë me temën “The Oral Tradition in the 21st century (Tradita gojore në shekullin 21)” shënoi edhe rinisjen e programit “Leksione albanologjike”, për vitin 2025.
Teksa foli për librin e saj të fundit “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, Anna Di Lellio tha se në këtë libër gjenden rrëfimet e minatorëve të cilët kanë shpalosur arrestimet, grevën, respesionin dhe largimin nga puna gjatë vitit 1998.
Profesoresha e sociologjisë në ligjëratën në mbajti në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë, u shpreh se çmimi i Kosovës për ta fituar pavarësinë ka qenë shumë i lartë me mijëra njerëz të vrarë e gra e burra të dhunuar dhe zhdukur.
Di Lellio që librat e saj i ka shkruar mbi bazën e historive orale, ka treguar për librin e saj të parë që kishte shkruar rreth Betejës së Kosovës.
Ajo tha se u zbulua se Millosh Kopiq ishte shqiptar dhe jo serb.
Albanologia foli edhe për librin e saj “Dimri i gjatë i vitit 1945”, që ka të bëjë me masakrën e Tivarit, ku tha se është ndërtuar mbi rrëfimin e një të mbijetuari të kësaj lufte.
Profesoresha Anna Di Lellio ka doktoruar në sociologji, ndërsa ka specializuar në Universitetin e Nju Jorkut.
Është ligjëruese në Programin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në New York University (New York, SHBA) dhe në Universitetin Amerikan në Prishtinë (RIT, Kosovo), si dhe bashkëthemeluese e Iniciativës për Histori Gojore në Kosovë.