DhTIK kërkon nga Qeveria Kurti të mos lejojë rritjen e çmimit të energjisë

DhTIK kërkon nga Qeveria Kurti të mos lejojë rritjen e çmimit të energjisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka pritur me shqetësim të madh paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për rritjen e çmimit të rrymës 15%.

Ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje te prodhuesit vendës.

Rritja e serishme prej 15%, po ndodh vetëm dy vjet pasi një rritje e tillë ishte bërë nga ZRRE dhe pasojat e saj vazhdojnë të jenë të pranishme te bizneset, thuhet në reagim.

Një ngritje e tillë e çmimit, e bën sektorin privat në Kosovë më të pafavorshëm ndaj konkurrencës që vjen nga jashtë dhe kjo mund të përcillet me pasoja të tjera, siç janë ulja e prodhimit dhe e numrit të punëtorëve.


Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet me 15 për qind duke nisur nga muaji prill.

Propozimi i ZRRE-së vjen pasi javë më parë, KOSTT, KEDS dhe KESCO kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

ZRRE ka publikuar raportin konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, ku është propozuar shtrenjtimi i rrymës, raporton KosovaPress.

ZRRE fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në raportin konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre deri më 28 mars 2025.

Kujtojmë, ZRRE bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars. Më 2024, ZRRE uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë tre për qind, por në vitin 2023 rriti tarifat me 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Lexo edhe

Video