Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë organizon konferencë me rreth 200 pjesëmarrës për projektin e BE-së

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë organizon konferencë me rreth 200 pjesëmarrës për projektin e BE-së

Rreth 200 pjesëmarrës nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë ftuar të marrin pjesë në Konferencën e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë për të diskutuar në kuadër të Projektit të Platformës Promovuese ESG, e cila do të mbahet më 20 mars në Prishtinë, raporton KosovaPress.

Projekt ky i financuar nga Komisioni Evropian përmes Fondit të Ballkanit Perëndimor synon të avancojë parimet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG) në të gjithë komunitetin e biznesit të Ballkanit Perëndimor.

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), Kushtrim Ahmeti thotë se këto standarde janë gjithnjë e më të rëndësishme për investitorët dhe kompanitë që duan të tregojnë përgjegjësi dhe qëndrueshmëri në veprimtaritë e tyre.

Ahmeti potencon se në konferencën e 20 marsit do të ketë panele të ndryshme ku do të diskutohet për rëndësinë e plotësimit të kushteve ESG, shkruan KosovaPress.

“Konferenca do të mbahet më 20 mars. Janë të ftuar partnerët që kanë qenë pjesë e projektit, sepse projekti është i mbështetur nga Komisioni Evropian përmes Fondit të Ballkanit Perëndimor. Ku Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është lidere e këtij projekti. Do të jenë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi, së bashku me bizneset e tyre të cilat kanë filluar procesin e plotësimit të kushteve ose standardeve ESG që ndërlidhen me mjedisin, shoqërinë dhe qeverisjen. Do të ketë panele të ndryshme të diskutimit për rëndësinë e plotësimit të këtyre kushteve. Sepse në vendet e BE-së tashmë ky proces është zhvilluar goxha shumë. Por edhe Ballkani në përgjithësi, por edhe Kosova në këtë rast nuk mund t’i ikë këtij procesi që është shumë i rëndësishëm, sepse ndërlidhet edhe me procesin integrues ekonomik. Është i një rëndësie shumë të veçantë për vetë Kosovën dhe kompanitë tona, të cilat një pjesë e tyre veçse kanë filluar t’i plotësojnë këto standarde, t’i ndjekin këto standarde të raportimit”, thotë Ahmeti.

Në një intervistë për KosovaPress, Ahmeti potencon se Standardet ESG prekin kompanitë, investitorët, punonjësit, komunitetet dhe rregullatorët.


Ai shton se Kosovën e presin disa ndryshime ligjore, për të cilat thotë se pritet të nisin sapo të formohet qeveria e re.

“Nga këto standarde përfitojnë edhe investitorët të ndryshëm. Përfitojnë komunitete, rregullatorët, institucionet pa dyshim. Kosovën e presin disa ndryshime ligjore që duhet t’i bëjë. Ne po presim që ato të nisin sapo që qeveria e re të formohet…Në këtë konferencë e cila do të zgjasë thuajse gjatë gjithë ditës do të ketë diskutime dhe praktika të ndryshme që kanë ndjekur partnerët tanë, shtetet e rajonit në këtë proces…Ballkani Perëndimor duhet të bashkëpunojë më shumë mes vete, në çfarëdo forme. Në këtë rast edhe kompanitë e shteteve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojë mes vete në mënyrë që të jemi në hap me kërkesat që parashtrohen nga BE-ja apo Komisioni Evropian”, potencon Ahmeti.

Ndër të tjera, drejtori ekzekutiv i DHTIK-ut, Kushtrim Ahmeti tregon se në këtë konferencë janë të ftuar rreth 200 pjesëmarrës nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Sipas tij, bizneset e këtyre shteteve përmes kësaj konference do të kenë mundësi për bashkëpunim.

“Ne kemi ftuar diku rreth 200 pjesëmarrës nga të gjitha vendet duke përfshirë edhe bizneset tona anëtare, por edhe bizneset që do të vijnë  nga të tria këto shtete që kanë qenë pjesë e këtij projekti…Ato do ta kenë mundësinë edhe të shohin rregullat dhe praktikat e ndryshme që janë ndjekur nga bizneset e këtyre vendeve. Të mësojnë nga njëra dhe tjetra që të shohin mundësinë më shumë se si mund t’i plotësojnë më shpejtë kushtet, t’i gjejnë rrugë më të mira për plotësimin e tyre. Por, edhe të shihen edhe mundësitë për bashkëpunim mes vete, sepse bizneset së pari duhet të bashkëpunojnë  me fqinjët e më pas të shohim për bashkëpunim. Është një mundësi e jashtëzakonshme dhe shumë e mirë për të gjitha bizneset tona që të jenë pjesë e këtij takimi…Në drejtim të standardeve të ESG-së është konferenca e parë”, thotë Ahmeti, shkruan KosovaPress.

“Konferenca ESG” do të mbahet më 20 mars, e enjte nga ora 09:00 deri në orën 13:00 në hotel “International Prishtina”, në Prishtinë./Z.Zeneli/

Lexo edhe

Video