Këngëtarja legjendare e muzikës country, Dolly Parton, ka ndarë lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të bashkëshortit të saj, Carl Dean, i cili vdiq në moshën 82-vjeçare. Pas gati 60 vitesh martesë, Parton tha se ata kaluan “shumë vite të mrekullueshme së bashku” dhe e ka të vështirë të gjejë fjalët për të përshkruar dashurinë e tyre.
Dean ndërroi jetë më 3 mars në Nashville, qytetin ku ai dhe Dolly jetuan gjithmonë.
Ai lë pas motrën dhe vëllanë e tij, Sandra dhe Donnie.
Familja ka vendosur që varrimi të bëhet në një ceremoni private, ku do të marrin pjesë vetëm të afërmit më të ngushtë.
Në deklaratën e saj, Dolly Parton u shpreh: “Carl dhe unë kemi kaluar shumë vite të bukura së bashku. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë dashurinë që kemi ndarë për më shumë se 60 vjet. Ju falënderoj për lutjet dhe ngushëllimet tuaja. Familja kërkon privatësi gjatë kësaj kohe të vështirë”, përcjellë KosovaPress.
Çifti ishte martuar që prej vitit 1966, por ndryshe nga Dolly, e cila ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, Carl Dean ka qëndruar larg botës së famës.
Ai nuk ka ecur kurrë në tapetin e kuq, nuk ka marrë pjesë në evente të mëdha dhe nuk e ka shoqëruar Dolly në turnetë e saj.
Në vend të kësaj, ai drejtonte një kompani ndërtimi dhe kujdesej për fermën e tyre të madhe në Tennessee.
Në një intervistë të mëparshme, Parton kishte treguar se dashuria e tyre kishte nisur në vitin 1964, kur ata u njohën për herë të parë jashtë një lavanderie të quajtur “Wishywashy”.
Kënga e saj ikonike “Jolene” është frymëzuar nga ai, duke e bërë Dean pjesë të pavdekshme të historisë së muzikës country.