Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se sot si pasojë e të shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë.
Sipas policisë, dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje.
“Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë, janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, zëdhëndësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i ka thënë KosovaPress-it se sot rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë.
“Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes, dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë. Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje”.
/KosovaPress/