Me funksionalizimin e shërbimit për Fertilizim të Asistuar Mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, interesimi për këtë shërbim është shumë i madh. Nga fundi i vitit të kaluar kur është përuruar kjo metodë mjekësore e deri më sot, janë kryer 255 konsulta, ndërsa në pritje janë edhe 470 të tjera.
Kështu ka bërë të ditur shefi i repartit të Infertilitetit në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Leandrit Bejtullahu. Ai për KosovaPress tha se koha e pritjes për këto kontrolle është 5 deri 7 ditë.
“Interesim ka pas shumë që edhe e kemi pritur….Fillimisht jemi në fazën e seleksionimit të pacientëve për të shikuar për të cilin është e përshtatshme metoda e invitro-fertilizimit….Deri tash janë kryer 255 konsultime edhe 470 i kemi me termine të caktuara, koha e pritjes është mjaftë e shkurtër diku 5 deri në 7 ditë, kështu që nuk ka ndonjë pritje të gjatë. Prej këtyre rasteve duhet të seleksionohen cilët janë ata që kualifikohen për procedurë se janë disa kritere të caktuara”, theksoi ai.
Gjinekologu Bejtullahu ka treguar se me qelizat vetanake procesit të IVF-të në QKUK, mund t’i nënshtrohen gratë deri në moshën 42 vjeçare. Ndërsa, prej 42 e deri në 45 vjeçe trajtohen rastet përmes komisionit të shkallës së dytë.
Duke folur për sukseset e kësaj metode, shefi i repartit të IVF-të në Klinikën e Gjinekologjisë, Leandrit Bejtullahu u shpreh se pas moshës 40 vjeçe dukshëm bie përqindja e suksesit për të sjellë fëmijë në jetë përmes kësaj metode.
Shefi i repartit të IVF-të në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Leandrit Bejtullahu theksoi se për dy ciklet e para ky shërbim do të ofrohen falas, ndërsa hera e tretë do të ketë një çmim mbi 600 euro.
Më 24 dhjetor të vitit 2024 u bë përurimi i shërbimit për frytnim të asistuar mjekësor në QKUK.
Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte njoftuar se barnat e nevojshme për këtë procedurë mjekësore i kanë futur në Listën e barnave esenciale.