Deklaratat e Grenell, si do të jetë e ardhmja e bashkëpunimit mes Kurtit dhe administratës Trump?

Deklaratat e të dërguarit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell ndaj kryeministrit, Albin Kurti, po konsiderohen jo të shëndetshme për raportet Kosovë-ShBA.  Sipas analistëve politikë, deklaratat e zyrtarit të lartë amerikan se “bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit dhe se qeveria e tij nuk është partnere e besueshme” janë të rënda. KosovaPress ka kontaktuar edhe me Qeverinë e Kosovës për të komentuar këto deklarata të Grenell dhe bashkëpunimin me administratën Trump, mirëpo të njëjtit nuk kthyen përgjigje.

Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, thotë për KosovaPress se Grenell reagoi ndaj Kurtit, pasi i njëjti ia jepi të drejtën vetës t’i përdorë raportet me ShBA-në për të fituar votat e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas tij, nuk është shumë e zakonshme nga zyrtarët amerikanë që të reagojnë në kohë fushate, mirëpo është dëshmuar se zyrtarë nga administrata Trump janë mjaft aktivë dhe energjikë.

Përkitazi me këtë, ai thekson se këto deklarata ndaj kryeministrit aktual dhe kandidatit për kryeministër nga partia më e madhe në Kosovë nuk janë të shëndetshme për raportet mes dy vendeve.

Në anën tjetër, politologu, Milazim Koci, thotë për KosovaPress se pavarësisht ashpërsisë së deklaratave të Grenell ndaj Kurtit nuk beson se do të ketë ndonjë dridhje të madhe të raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së.

Për një gjë të tillë ai thotë se duhet pritur rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, mirëpo sipas tij, politika amerikane nuk bëhet në baza personale dhe në logjikën e hakmarrjes.


Grenell ditë më parë, tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

Lexo: https://kosovapress.com/grenell-per-kurtin-nuk-eshte-i-besueshem-mos-u-mashtroni

Në një postim në rrjetin X, Grenell shkroi se edhe republikanët, edhe demokratët në SHBA e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin “për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin”. Ai tha se “retorika e Kurtit (kryeministrit të Kosovës) duke pretenduar se është afër SHBA-së, është plotësisht e rreme”.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit si president, Grenell ka shërbyer si i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Edhe gjatë asaj kohe, Grenell e ka kritikuar publikisht Kurtin, duke e cilësuar si “antiamerikan”.

Richard Grenell ka marrë tani zyrtarisht detyrën e emisarit për misione të posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Urdhrin ekzekutiv e nënshkroi presidenti amerikan Donald Trump të hënën në mbrëmje, sipas kohës lokale në SHBA. Ai e lavdëroi Grenellin për rolin që pati në vendimin për shuarjen e zjarrit në Los Angeles.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video