Bajram Kosumi është nderuar me çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në ceremoninë e ndarjeve të çmimeve vjetore në fushën e letërsisë.
Kosumi u nderua për kontributin e tij të dhënë për publikimin e letërsisë nga burgu, sipas MKRS-së duke ruajtur të gjallë dëshminë letrare në kushte ekstreme.
Sipas MKRS-së, Kosumi është dëshmuar në letërsinë shqipe me studimet e tij shumëdimensionale, si dhe me krijimtarinë e tij të veçantë.
Ndërkaq, Kosumi u shpreh se ky çmim dëshmon për rëndësinë e letërsisë dhe të artit.
“Ky çmim që sapo e mora, dhe çmime të tjera, dëshmojnë për rëndësinë e letërsisë dhe të artit. Letërsia dhe artet e bëjnë njeriun më të mirë, më humanist dhe më vizionarë. Prandaj investimi në letërsi është një strategji e mundshme për ta fituar dhe me e ruajt mirësinë e njeriut, humanizmin dhe luftën për liri”, tha Kosumi.
Ndërkaq Rexhep Qosja, është nderuar me çmimin “ Letërsia Shqipe”.
Qosja theksoi se ky nderim nuk vlen vetëm për të por për te gjithë ata që besojnë në fuqinë e librit.
“Këtë nderim nuk e konsideroj vendim vetëm për mua, por për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e krijimtarisë mendore, të letërsisë dhe të studimit historik të saj. Letërsia nuk është si thuhej dikur pasqyrë e jetës, ajo është krijimtari, mjet i jashtëzakonshëm për ta ndryshuar jetën”, theksoi Qosja.
Në fund, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku falënderoi të gjithë ata që u nderuan me çmime, për kontributin e tyre në letërsinë shqipe.
“Për të siguruar integritetin e këtij procesi, sepse çmimet janë vjetore, profesionale, mirëpo duhet shumë punë, angazhim për të siguruar që këto çmime u jepen më meritorëve. Prapa qëndrojnë ata që e sigurojnë integritetin e këtij procesi. Si ministri do të jemi aty gjithmonë, përmes mjeteve tona që ta mbështesim autorin, krijuesin, krijimtarinë edhe letrare, por jo vetëm letrare, por fokusin e kemi tek letërsia si përmes çmimeve ashtu edhe përmes mundësive”, u shpreh Çeku.
Përveç Kosumit e Qasjes, me çmim u nderuan edhe Ballsor Hoxha me çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, për veprën më të mirë për fëmijë “Vehbi Kikaj” u nderua Dije Demiraj, për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja – Donika Dabishevci, në kritikë letrare “Ibrahim Rugova” – Eronita Kqiku dhe Meliza Krasniqi dhe çmimin e fundit për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani e mori Lorenc Hajdari.