Me pak para me ble ilaçe, me paguar rrymë apo me ngrënë ushqim. Kështu thotë qytetari Elmi Dervishaj, i cili ka dalë në treg për të blerë perime. Kjo është gjendja e pensionistëve në Kosovë që nuk po arrijnë të ushqehen siç duhet. Ata po e ndjejnë çdo ditë e më shumë peshën e jetesës së rënduar nga çmimet e larta në treg. Derisa tregon se çdo ditë është një sfidë e re për të balancuar nevojat thelbësore, ndërsa përpjekja për të siguruar ushqim bëhet gjithnjë e më e vështirë për ata që kanë pensione të ulëta.
Sipas tyre, çmimet e larta, të cilat vazhdojnë të rriten, po e bëjnë jetesën gjithnjë e më të vështirë, duke i ngarkuar me një barrë gati të papërballueshme. Rrogat dhe pensionet e ulëta nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet më të thjeshta, pa pasur mundësi për të siguruar nevojat themelore e të ushqehen shëndetshëm.
Ekipi i KosovaPress, ka vizituar një nga tregjet në Prishtinë, por edhe disa markete në kryeqytet, dhe ka vërejtur se përveç çmimit të lartë për një kilogram speca që është mbi 4 euro, rritja e çmimeve, u vërejt edhe te produktet tjera të perimeve.
Qytetari Aziz Kastrati thotë për KosovaPress, se nga pagat e dobëta nuk po arrin të ushqehen ashtu siç duhet, derisa ankohet për çmime të larta krahasuar me standardin e vendit.
Edhe qytetari, Sejdi Makolli shprehet se nga kushtet jo të mira mezi arrijnë të sigurojnë ushqim.
Ndërkaq, Elmi Dervishaj thotë se akoma më e vështirë është për pensionistët që kanë ardhura jo të larta. Madje, ai thotë se për një kilogram speca duhet të paguajë rreth katër euro e gjysmë, për çfarë nënvizon që është çmim i lartë.
Në anën tjetër, njohësi i ekonomisë, Ismet Mulaj e sheh këtë fenomen si pasojë të mungesës së një reforme të thellë strukturore, veçanërisht në politikat fiskale dhe subvencionet për bujqësinë.
Ai thotë se edhe autoriteti i konkurrencës, por edhe Ministria Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk kanë ndonjë plan efikas të monitorojnë rritjen apo abuzimin me çmimin në treg, për çfarë thotë se po dëmtohen qytetarët.
Ndërkaq sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit shkuan në 1,7 për qind vjetore dhe 0,4 për qind mujore për muajin shkurt të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë kohore me vitin e kaluar, raporton KosovaPress.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,7% në muajin shkurt 2025, krahasuar me muajin shkurt 2024. Inflacioni mujor ishte 0,4% në muajin shkurt 2025. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,7 % në muajin Shkurt 2025 krahasuar me muajin Shkurt 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: kafja, çaji dhe kakao (14,9%), vajrat dhe yndyrnat (9,8%), shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (7,6%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (6,2%), mishi (5,6%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (5,5%), shërbimet financiare (5,2%), qumështi, djathi dhe vezët (4,6%), pijet alkoolike (4,1%), veshje (3,6%), %), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (3,5%), kujdesi personal (3,3%), shërbimet hoteliere (3,2%), duhani (2,9%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (2,8%), pajisje shtëpiake (2,5%), perimet (2,4%), buka dhe drithërat (1,8%), shërbimet ambulantore (1,8%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (1,6%) dhe pemët (1,4%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,4 për qind në IHÇK-it”.
Aktualisht nuk është stinë e prodhimit të specit në Kosovë, por rritja e çmimeve të perimeve, tashmë në Kosovë është bërë një trend.
Kurse, çmimet e produkteve të mishit janë rreth 10 euro për një kilogramë.
Përndryshe, paga mesatare neto është 506 euro neto, kurse, paga minimale 250 euro neto. E pensioni bazik i moshës është 120 euro.
Tema e plotë në sistemin me parapargim.
/KosovaPress/