Vizita e parë në Kosovë e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po shihet më shumë informuese dhe që s’mund të prodhojë diçka në dialog. Sipas njohësve të këtij procesi, është vështirë të bëhet ndonjë hap konkret në dialog pa formimin e qeverisë së re në Kosovë, si dhe zgjidhjen e krizës politike në Serbi. Megjithatë, konsiderohet se Sorensen gjatë vizitës së tij tre ditore në Kosovë, mund të diskutojë me përfaqësuesit institucional dhe politikë për hapat përpara që do të ndiqen në këtë proces, zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.
Sorensen do të qëndrojë në Kosovë në datat 17-19 mars. Kjo është vizita e tij e parë që kur ka marrë detyrën në muajin shkurt 2025, duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Mirioslav Lajçak.
Politologu Seb Bytyçi, thotë për KosovaPress, se është e vështirë të bëhet ndonjë hap konkret në dialog pa formimin e qeverisë së re në Kosovë.
Në anën tjetër, ish-diplomatja, Alma Lama, thotë për KosovaPress, se vizita e Sorensen në Kosovë është tërësisht në kuadrin e informimit dhe prezantimit të qasjes së tij në dialog, raporton KosovaPress.
Sipas saj, Sorensen do të marrë pikëpamjet e liderëve institucional dhe politikë të Kosovës për dialogun, si dhe do t’i paraqesë kërkesat e tij për zbatimin e ujdive aktuale.
Shefja e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Kaja Kallas, javë më parë ka thënë se gjatë muajit mars do të shikojnë të funksionalizojnë dialogun dhe të shohin sesi të ecet përpara.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo palët ende nuk kanë filluar zbatimin e saj.